Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj edhe njëherë ka ripotencuar se forcimi i sundimit të ligjit është interes thelbësor i vendit. Në një postim në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se Qeveria e Serbisë nuk duhet të synojë minimin e përpjekjeve tona për luftimin e krimit të organizuar.

“Forcimi i sundimit të ligjit është interes thelbësor i vendit dhe rajonit tonë. Krimi i organizuar dhe kontrabanda janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për progresin tone të përbashkët, dhe NUK duhet të mbështetet mbi bazën e përkatësisë etnike dhe të çfarëdo baze tjetër.”, ka shkruar Haradinaj.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se operacioni policor, i cili po shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat: Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas, deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar.

Gjatë këtij aksioni, përveç hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, policia ka hasur edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç’rast është detyruar të përdoren mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor. KFOR-i përmes një prononcimi ka thënë se aksioni policor në Kosovë është zhvilluar në gjithë Kosovën bazë të urdhrit të Prokurorisë në Prishtinë në kuadër të luftës kundër krimit.

Ai ka komentuar edhe qëndrimin e zyrtarëve të Serbisë, që kanë kërkuar nga KFOR-i të ndërmarrë në lidhje me aksionin e Policisë Speciale të Kosovës në veri. “Në lidhje me këtë kemi dikutuar edhe më herët, ne nuk përzihemi në aksionet policore, deri sa të mos na kërkohet të ndërhyjmë“, citon Tanjug-u Vincenzo Grasson, zëdhënës i KFOR-it./21Media