Gjyqtari i Ipko Superligës së Kosovës, Ilir Mehmeti, i cili doli pozitiv me koronavirus në testin e dytë për Covid-19 të mërkurën – ishte pjesë e katër zyrtarëve në ndeshjen Prishtina – Ferizaj para 10 ditëve.

Mehmeti njoftoi të mërkurën mbrëma përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se ka dalë pozitivë për Covid-19 pas testit të dytë.

Ai ka treguar se u janë shfaqur simptoma dhe pas testit është konfirmuar se ai është prekur nga Covid-19.

Ai është vetizoluar dhe thotë se është në gjendje të mirë shëndetësore.

Federata e Futbollit e Kosovës i kishte testuar të gjithë gjyqtarët për Covid-19 në prag të rifillimit të Superligës më 7 qershor.

Në atë rund testimi, Mehmeti ka dalë negativ dhe ishte gjyqtar i katërt në ndeshjen mes Prishtinës dhe Ferizajt, që u zhvillua më 7 qershor në Fadil Vokrri.

Tani, dhjetë ditë më vonë, i testuar pas shfaqjes së simptomave, ai ka dalë pozitivë.

“Te nderuar miq, Pas testimit ne Qendren Infektive per shkak te disa simptomave te shfaqura, une sot kam rezultuar pozitiv me Covid-19. Menjehere jam veteizoluar dhe jam ne gjendje te mire shendetesore.Shpresoj shume se numri i te prekurve nga Covid-19 do te zvogelohet ne ditet ne vijim dhe se do ta kalojme kete pandemi sa me lehte qe eshte e mundur”, ka shkruar Mehmeti në Facebook.

Gazeta Express merr vesh se FFK-ja i ka kontaktuar të gjithë gjyqtarët e tjerë për t’i pyuetur nëse ata kanë pasur kontakt me Mehmetin.

Ata e kanë mohuar të kenë pasur kontakt me të.