Punëdhënësit nga vendi që nuk kanë paguar regres për punonjësit e tyre kërcënohen me gjobë deri në katër mijë euro ose dënim me burg. Marrëveshja e përgjithshme kolektive për sektorin privat në ekonomi, parashikon që regresi të paguhet jo më vonë se dita e fundit e vitit. Shuma minimale e pagesës për vitin 2018 ishte nga 9600 deri në 14100 denarë ose 40 për qind e pagës mesatare të tre muajve të fundit, por me kusht që punonjësi të ketë punuar të paktën gjashtë muaj në vitin kalendarik me të njëjtin punëdhënës. Nga Shoqata e Punëdhënësve për Alsat thonë se biznesmenët e sektorit privat kanë paguar shumicën e regresit.

Shumica e kompanive kanë paguar K-15 për këtë vit. Ata punëdhënës që kërkojnë paratë mbrapa, bëjnë vepër penale, që penalizohet me burgim”. – theksoi Angel Dimitrov -Organizata e Punëdhënësve

Ne u përpoqëm të anketojmë një pjesë të qytetarëve, por kur dëgjuan temën dhe pyetjen, ose nuk donin të flisnin ose thoshin nëse flasin për këtë temë, do të përjashtohen nga puna.  Nga Lidhja e Sindikatave, megjithatë, thonë se pas shumë shembujve që fliten në opinion, sesi punëtorët i marrin paratë nga llogaria dhe i kthejnë ato te shefi, deri më tani te ata nuk janë ankuar, as nuk ka reaguar, ndonjë anëtar i LSM-së. Ata i inkurajojnë punëtorët të raportojnë çdo shkelje të të drejtave të tyre.

Punonjësve që nuk do tu paguhet regresi për pushim vjetor, mund të kërkojnë ndërhyrje nga Inspektorati Shtetëror i Punës, ose të iniciojnë një procedurë gjyqësore për të mbrojtur të drejtat e tyre. Shërbimet për ndihmë juridike falas të LSM-së në Shkup dhe zyrat e sindikatave rajonale në të gjithë vendin për anëtarët e vet ofrojnë asistencë ligjore dhe mbrojtje për këtë të drejtë nga një marrëdhënie pune”. – u shprehën nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë

Nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut thonë se në dy apo tre vitet e fundit janë regjistruar shumë raste në të cilat punëdhënësit kanë paguar një shumë të vogël regresi për pushime vjetore, domethënë 500 deri në 1000 denarë.  Keqpërdorime kishte gjithashtu te një numër i punonjësve që kishin përdorur pushimin e lindjes dhe nuk iu është paguar regresi, megjithëse është i garantuar me ligj. Në vitet e fundit, LSM-ja është përpjekur të nxjerrë një ligj të ri të punës dhe të përfitojnë nga ky edhe punonjësit e sektorit publik, por nuk patën sukses deri në këtë moment.