Qeveria gjermane uli këtë të mërkurë parashikimin e saj të rritjes ekonomike për këtë vit pasi ekonomia e saj lufton me mungesën e punëtorëve të kualifikuar, burokracinë e tepruar, normat e larta të interesit dhe investimet e reduktuara.

Norma e rritjes për këtë vit është ulur në 0.2 për qind, që është më pak se parashikimi i mëparshëm i rritjes nga vjeshta e kaluar prej 1.3 për qind.

“Gjermania po rimëkëmbet më ngadalë se sa kishim shpresuar pas tronditjes së Rusisë që ndërpreu furnizimet me gaz natyror pas fillimit të pushtimit të saj në Ukrainë”, tha zëvendëskancelari Robert Habeck teksa prezantoi raportin vjetor ekonomik.

Ndërprerja e furnizimit me gaz rus çoi në një rritje të kostove të energjisë në Gjermani, e cila kontribuoi në inflacion të lartë që uli fuqinë blerëse.

Por papunësia mbetet e ulët, që do të thotë se rënia e vitit të kaluar nuk duket si një recesion klasik.

Një ngadalësim i tregtisë globale është një tjetër faktor prapa vështirësive të Gjermanisë, pasi eksportet e makinave dhe makinerive industriale kanë qenë shtylla kryesore e ekonomisë.

Qeveria e koalicionit e udhëhequr nga kancelari socialdemokrat Olaf Scholz iu desh të rishikonte shpenzimet e këtij viti në minutën e fundit, duke përfshirë heqjen e një subvencioni për naftën bujqësore. Kjo çoi në protesta të fermerëve të cilët bllokuan rrugët me traktorët e tyre.

Një grup relativisht modest lehtësimesh tatimore që arrijnë në 3.2 miliardë euro kaluan në dhomën e ulët, por u bllokuan nga opozita konservatore në dhomën e lartë të parlamentit gjerman. Kristian Demokratët e liderit të opozitës Friedrich Merz e kushtëzuan miratimin e tyre me kthimin e kredisë së taksës së karburantit për produktet bujqësore.

Qeveria është përpjekur të përballet me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar duke miratuar ligje që e bëjnë më të lehtë për punëtorët në fushat e nevojshme imigrimin dhe shkurtojnë pritjen për t’u bërë qytetarë të plotë nga tetë vjet në pesë, dhe ndonjëherë deri në tre.