Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha ka bërë të ditur se tashmë është definuar marrëveshja për bashkëpunim mes kësaj partie dhe partisë opozitare, Aleanca për Shqiptarët.

Në suaza të kësaj marrëveshjeje, Hoxha ka ftuar votuesit e Besës që të votojnë kandidatët e ASh-së për kryetarë të komunave në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, dhe anasjelltas, ASh të ftojë votuesit e saj të mbështesin kandidatët e Besës në komunat ku ajo garon.

“Duke analizuar zhvillimet e fundit në skenën politike si dhe koalicionin e rivjetërsuar midis BDI-së dhe PDSh-së, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, imponohet pozicionimi i qartë i Lëvizjes Besa kundrejt politikave të vjetra të këtyre dy partive politike të cilat pa asnjë parim të vet dhe kundër vullnetit të vet detyrohen të bashkohen për interesin e vet… Bëjmë apel që në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale gjithë votuesit e Lëvizjes Besa të mbështesin kandidatët e Aleancës për Shqiptarët duke ndihmuar kështu në mposhtjen e politike të BDI-së dhe PDSH-së. Po ashtu kërkojmë nga Aleanca për Shqiptarët që në formë reciproke të bëjë thirrje votuesve të vet që të mbështesin e kandidatët e Lëvizjes Besa në Tetovë dhe Zhelinë”, tha Hoxha, transmeton TV21.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 31 tetor.