Lëvizja Besa fton votuesit e vet që në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të votojnë për kandidatët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Gjithashtu kërkon reciprocitet dhe pret që edhe Aleanca-Alternativa të mbështet Lëvizjen Besa në Tetovë e Zhelinë.

“Bëjmë apel që në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, gjithë votuesit e Lëvizjes Besa të mbështesin kandidatët e Aleancës për Shqiptarët duke ndihmuar kështu në mposhtjen politike të BDI-së dhe PDSH-së. Po ashtu, kërkojmë nga Aleanca për Shqiptarët që në formë reciproke të bëjë thirrje votuesve të vet që të mbështesin kandidatët e Lëvizjes BESA në komunat Tetovë dhe Zhelinë”, theksoi Arjanit Hoxha – Sekretar i Lëvizjes Besa.

Aleanca për Shqiptarët e mirëpriti thirrjen e Besës dhe i ofruan mbështetje të ndërsjellë.

“Edhe anëtarët dhe simpatizantët tanë dhe të gjithë votuesit e tjerë do t’i mbështesin kandidatët e Lëvizjes Besa në komunat ku ato përballen me BDI-në, pra flasim për Komunën e Zhelinës dhe Tetovës”, potencoi Arben Taravari – Sekretar i Aleancës për Shqiptarët.

I pyetur se si do çka thotë Alternativa për këtë mbështetje të Aleancës që ia jep Lëvizjes Besa!? Taravari u shpreh se për disa orë me gjasa do të dalin edhe Alternativa me qëndrim.

“Unë e dëgjova me vëmendje press konferencën e Lëvizjes Besa. Ato e përmendën edhe komunën e Çairit, d.m.th. për të gjitha komunat ku garojnë Aleanca dhe Alternativa. Natyrisht ne këtu e shprehim qëndrimin e ASh-së. Jemi në koordinim me Alternativën. Ma merr mendja se në këto orë mund edhe ata të dalin me qëndrimin e tyre ose do të mundohemi të jemi të koordinuar. Gjithsesi, flasim për kandidatura ku garojnë ASh-AAA dhe BESA”, shtoi Taravari.

Por, para se të bëhej publike mbështetja e ndërsjellë mes ASH-së dhe Besës, Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa thotë se më Lëvizjen Besa nuk kanë ndonjë bashkëpunim.

“Mund t’ju flasë për Alternativën, ne në këtë rast nuk kemi asnjë marrëveshje më atë parti”, tha Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa.

Nga Lëvizja BESA thonë se mbështetja ka lindur si nevojë për ndryshim në skenën politike, pasi që BDI dhe PDSH paraprakisht lidhën koalicion kundër vullnetit të votuesve të vet dhe bashkëpunojnë  për të mbrojtur njëra tjetrën.