“Sot fillon procedura për furnizimin e testeve të shpejta me një pjesë të buxhetit që me ribalancin mbërriti në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërkohë 20.000 teste kanë mbërritur si donacion, 13.000 tashmë janë shpërndarë dhe përdoren në disa institucione shëndetësore në vend. Edhe 6.000 në këtë moment janë rezervë dhe kemi plan ku të shpërndahen gjatë javës së ardhshme”

Këtë e theksoi sot ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në konferencë për shtyp. Duke iu referuar analizave të Institutit për Shëndet Publik, Filipçe tha se përqindja e rasteve pozitive nga të testuarit në përgjithësi lëviz midis 36 dhe 41 përqind.

Filipçe deklaroi se numri i rasteve të reja ngadalësohet pas një periudhe prej katër javëve rritje të papritur.

Ai theksoi se është mobilizuar edhe i gjithë kuadri në të gjitha repartet, janë angazhuar edhe një pjesë e specializantëve privatë të cilët kanë shfaqur vullnet të përfshihen në këtë proces, si edhe një pjesë e të rinjve dhe mjekëve të licencuar të cilët kanë pasur praktikë të paguar, që për një pjesë ka përfunduar dhe bisedohet për modalitetet për punësimin e tyre në sistemin shëndetësor, ndërsa në atë punohet me Fondin për Sigurim Shëndetësor dhe Ministrinë e Financave.