Familja e Emiliano Salas mund të mos i marrë afër 700 mijë euro si kompensim për vdekjen e futbollistit, për shkak të një gabimi administrativ të Cardiff Cityt.
Sala vdiq pasi aeroplani privat, me të cilin po shkonte në Cardiff nga Nantesi, u rrëzua mbi Kanalin Anglez më 21 janar, vetëm dy ditë pasi kishte nënshkruar për klubin e Premierligës, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, familja e argjentinasit mund t’i humbë paratë si dëmshpërblim për vdekjen e Salas për shkak se klubi anglez e bëri një gabim teknik, kur e regjistroi kontratën e Salas në Premierligë.
Sipas The Times, zyrtarët e Premierligës ishin detyruar t’ia kthejnë Cardiffit dokumentet e Salas pasi që informatat ishin të gabuara dhe duhet të përmirësoheshin për ta regjistruar futbollistin. Sala duhej t’i nënshkruante këto kontrata përsëri.
Megjithatë, para se ta kishte mundësinë për t’i nënshkruar këto kontrata të reja, 28-vjeçari vdiq pasi aeroplani me të cilin po udhëtonte, të cilin po e drejtonte piloti David Ibbotson, u rrëzua. Ibbotson është ende i zhdukur, mirëpo besohet se edhe ai është i vdekur.
Lojtarët regjistrohen automatikisht në Shoqatën e Futbollistëve të Premierligë, kur bëhen zyrtarisht lojtarë të Premierligës. Në këtë shoqatë, familjes se një lojtari të vdekur i jepen 700 mijë euro, si dëmshpërblim.
Megjithatë, Shoqata mund të vendosë t’i japë familjes së Salas këto para edhe pse kontrata të cilën ai e kishte nënshkruar nuk ishte e vlefshme, për shkak se ky konsiderohet si një rast më i veçantë.
Comments are closed for this post.