Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka thënë se serbët në Kosovë duhet të jetojnë të sigurt dhe dinjitetshëm. Për këtë, ai ka shtuar se do ta mbajnë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës.

Në një intervistë për Radio Gorazhdevac, Escobari nga Peja, ku u takua me kryetarin Gazmend Muhaxheri dhe me të rinjtë nga disa komunitete, ka thënë se serbët në Kosovë po vuajnë për shkak të Rregullores së Bankës Qendrore, me të cilën ndalohet përdorimi i dinarit.

“Kam dashur të vij në këtë qytet, të dëgjoj tregimet e njerëzve të dorës së parë se si janë prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Është e vështirë t’i dëgjosh këto histori dhe të qëndrosh indiferent. Këtu ka një komunitet që është me të vërtetë duke vuajtur. Ka njerëz që po përballen me probleme reale për shkak të mungesës së mundësive për të marrë pensione”, ka thënë Escobar.

Disa orë para takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Escobari ka theksuar se “me të vërtetë dëshiron të punojë me Qeverinë e Kosovës me shpresën për të gjetur zgjidhje urgjente”.

Emisari amerikan i ka thënë komunitetit serb në Kosovë se SHBA-ja është këtu dhe se “dëshiron që serbët në Kosovë të jetojnë në kushte të sigurta dhe të dinjitetshme”.

“Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në të. Dhe sa i përket Qeverisë së Kosovës, ata kanë përgjegjësinë për ta arritur këtë dhe ne do t’i mbajmë ata përgjegjës për këtë. Unë mendoj se të gjithë njerëzit në Kosovë mund të llogarisin në mbështetjen amerikane për shqiptarët, serbët, boshnjakët, të gjithë ata që jetojnë në këtë vend. Shpresoj se ata mund të ndjejnë mbështetjen amerikane dhe partneritetin amerikan”, ka shtuar Escobar.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se gjatë takimit të së enjtes me Escobarin, nga të dyja palët është vlerësuar jetik rrugëtimi i përbashkët në proceset integruese të Kosovës bashkë me Shtetet e Bashkuara.

Në këtë deklaratë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së iu referua shkurt propozimit franko-gjerman, në kuadër të problemeve aktuale.

“Në afat më të gjatë, ne duhet të punojmë ende shumë për të zbatuar marrëveshjen historike të normalizimit që arritëm marsin e kaluar. Kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë”, ka deklaruar Escobar.

Escobari viziton Manastirin e Deçanit

Image

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, të enjten ka vizituar Manastirin e Deçanit, një ditë pasi Qeveria e Kosovës urdhëroi të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’ia dhënë 24 hektarë tokë këtij manastiri.

Menjëherë pas vendimit të së mërkurës, Escobari e përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës. I shoqërua nga ambasadori Jeffrey Hovenier, ai sot ka shkuar në Manastir të Deçanit.

Pas pak ore, Escobari do të ketë takim edhe me kryeministrin Albin Kurti. Vendimin për t’ia dhënë 24 hektarë Manastirit të Deçanit, Kurti e ka quajtur “të dëmshëm”, por “të domosdoshëm” për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.