Shqipëria dhe Serbia parafirmosën marrëveshjen kuadër në fushën e sigurimeve shoqërore. Ministri i Ekonomisë, i Kulturës dhe i Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi se për palën shqiptare kjo marrëveshje u parafirmos nga zëvendësministrja e Ekonomisë, e Kulturës dhe e Inovacionit, Olta Manjani, ndërsa për palën serbe nga përfaqësuesi i Ministrisë së Punës, të Punësimit, të Veteranëve dhe të Çështjeve Sociale, Zoran Millosheviq.

“Marrëveshja iu siguron qytetarëve shqiptarë një sërë përfitimesh, si: pensionin e pleqërisë, përfitimet e barrëlindjes, pensionin familjar, atë të invaliditetit etj. Ajo gjithashtu siguron bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë që qytetarët të mos humbasin vitet e tyre të punës”, u shpreh Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Raundi i dytë i negociatave u zhvillua në Tiranë, pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në datat 12-14 mars.