Të martën, Kreyprokurori Ljubomir Jovevski do të jetë pjesë e debatit publik, për propozim ligjin për Prokurorinë. Qeveria pranoi propozimin e VMRO – DPMNE-së, që të dëgjojnë personalisht nga Joveski mendim për zgjidhjen ligjore. Në debat do të prezantohen pikëpamjet e ekspertëve për ligjin, për të cilin qeveria dhe opozita nuk mund të pajtohen assesi. Dje takimi i partive parlamentare dështoi. VMRO – DPMNE u largua nga mbledhja, sepse Joveski nuk ishte në mbledhje. Sot, lideri i opozitës Hristian Mickoski pretendon se partia e tij do të jetë pjesë e takimeve. Sidoqoftë, si problem kryesor ai përmendi mënyrën e transferimit të akuzave dhe hetimeve nga PSP në prokurorinë e rregullt, duke theksuar se i konsideron të paligjshme të gjitha hetimet dhe akuzat e paraqitura pas 30 qershorit 2017.