Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë numrin më të madh të infektuarve nga koronavirusi. Ndërkohë Spanja radhitet si vendi i parë në botë për raste të reja në 24 orët e fundit. Sipas statistikave, në Spanjë janë evidentuar 6270 raste të reja, ndërsa në Gjermani 3500. Spanja mban primatin edhe për numrin e viktimave. 500 viktima të reja janë regjistruar për 24 orë, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 4900 viktima. Pas SHBA-ve radhitet Kina me 82 mijë të infektuar dhe më pas Italia me 80 mijë raste. Për 1 muaj prej kur pandemia përfshiu 199 vende të botës, numri i të infektuarve ka shkuar mbi 550 mijë raste, rreth 126 mijë janë shëruar ndërsa numri total i vdekjeve ka arritur në 25.500. Në vendet e rajonit, numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në Greqi. Afro 900 janë prekur nga virusi, ndërsa autoritetet kanë njoftuar për 27 viktima. E dyta radhitet Serbia me rreth 460 të prekur dhe 7 të vdekur, Bullgaria me 267 të prekur dhe 3 të vdekur, Shqipëria me 186 të infektuar dhe 8 të vdekur, ndërsa Kosova regjistron 86 raste të infektuar, një i shëruar dhe një viktimë.

Vendi Të infektuar Të shëruar Vdekje
Shqipëri 186 31 8
Kosovë 86 1 1
Bullgari 267 8 3
Greqi 892 42 27
Serbi 457 15 7

Nga koronavirusi është prekur edhe kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Xhonson dhe sekretari britanik i Shëndetësisë Matt Hancock. Lidhur me masat, Shtëpia e bardhë në Uashington ka njoftuar se Presidenti Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Republikës Popullore të Kinës Si Xhinping me të cilin ka biseduar për luftën e përbashkët Kinë-SHBA ndaj pandemisë nga virusi Korona. Mediat amerikane kanë njoftuar se Trump ka urdhëruar të gjitha kompanitë amerikane që pas dy javëve t’i kthejnë në angazhim të gjithë të punësuarit. Në Indi ka vazhdon karantina shtetërore. Mbi 1 miliard banorë janë urdhëruar të mbyllen nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa autoritet vazhdojnë masat për mbajtjen e rendit.