FIFA ka marrë 3 milionë kërkesa për bileta për finalen e Kupës së Botës në Katar dhe një bum tjetër kërkesash për të ndjekur ndeshjet më të rëndësishme të fazës së grupeve. Problem mbetet kapaciteti i kufizuar i vendit nga Gjiri Persik për të akomoduar tifozët.

Shifrat e zbuluara për Associated Press nga FIFA tregojnë se kishte 2.5 milionë kërkesa për bileta për të marrë pjesë në sfidës mes Argjentinës dhe Meksikës, më 26 nëntor, në stadiumin “Lusail”, me kapacitet 80,000 vende dhe 1,4 milionë tifozë shpresojnë të shohin Anglinë në përballjen me Shtetet e Bashkuara në stadiumin me kapacitet 60 mijë vende “Al Bayt”.

Në përgjithësi, për turneun e planifikuar për t’u zhvilluar nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor, kishte mbi 2 milionë kërkesa për bileta nga Shtetet e Bashkuara, Anglia dhe Katari. Për ndarjen e biletave për ndeshjet ku kërkesa tejkalon kapacitetin e stadiumit do të përdoret një short i rastësishëm. Numri i madh i kërkesave për bileta mund të pasqyrojë dëshirën për të parë më shumë se një ndeshje në ditë nga tifozët që përpiqen të mbushin kohën përpara se të shikojnë ndeshjet e vendit të tyre. Në Katar, stadiumet nuk janë më shumë se një orë larg zemrës së vendit, Doha.

Me të gjitha stadiumet e ndërtuara rreth kryeqytetit, turneut i mungon shumëllojshmëria e atraksioneve turistike në krahasim me turnetë e fundit të zhvilluar në Brazil dhe Rusi.

Në total, FIFA ka marrë mbi 23 milionë kërkesa për bileta. Mirëpritja e vizitorëve është gjithashtu një sfidë, duke pasur parasysh madhësinë e vendit, me shumicën e hoteleve të ndërtuara rreth Dohas.