Real Madrid është finalisti tjetër i Champions League. Kur dukej se do të kishim një finale angleze, pasi deri në minutën e 89 Manchester City kryesonte 1-0 dhe me rezultat të përgjithshëm 5-3, madrilenët realizuan të pamundurën.

Rodrygo, i ardhur nga stoli, përmbysi rezultatin me dy gola brenda dy minutave (90 dhe 91). Sulmuesi brazilian shënoi dy herë pas asisteve të Benzema dhe Carvajal, duke përmbysur rezultatin e ndeshjes në 2-1 e duke barazuar atë të përgjithshmin në 5-5.

Në shtesë, Karim Benzema shënoi edhe golin e tretë, pas një 11-metërshi të fituar po vetë, duke dërguar Realin në finalen e madhe të Champions League, ku do të përballet me Liverpool.