Informatat nga terreni për mësimin onllajn janë mjaft inkurajuese. Deri më tani nuk kemi pranuar informatë se në ndonjë shkollë fare nuk po organizohet mësim onllajn. Ka sfida të caktuara me të cilat sistemi ynë arsimor po përballet edhe në rrethana normale, posaçërisht kur flasim për më të vegjlit – nga klasa e parë deri në të tretën, sepse të gjithë nuk din[ë të manipulojnë dhe të gjithë nuk kanë pajisje të vet TI, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Gjatë pjesëmarrjes së tij në programin e mëngjesit në TV Sitel ministri tha se mbulim me internet ka në mbarë territorin e vendit, por ka problem me qasjen në internet në familjet pa të ardhura dhe për këtë shkak Ministria me shkresë ka kërkuar nga shkollat të informojnë se sa fëmijë nuk kanë qasje në internet për shkak të kushteve materiale. Por, tha, ka pasur moskuptim sepse shkollat menduan se do t’u ndahen TI pajisje dhe njoftuan për fëmijë që nuk posedojnë pajisje. Do t’i shfrytëzojnë, tha, edhe të dhënat nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për numër të saktë të familjeve në shtet që janë pa të ardhura, ndërkaq të cilat kanë nxënës, dhe të dhënat do t’i kombinojnë.

“Për internetin është pak më lehtë sepse me ministrin e Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski po mendojmë të ndajmë vauçerë për internet në mënyrë që të sigurohet internet falas për fëmijët në rrezik social. Sa i përket pajisjeve, kur themi mësim nga shtëpia, nuk mendojmë për TI pajisje më moderne, me kamera të posaçme dhe mikrofona etj. Në treg mund të gjenden edhe pajisje të përdorura me çmim modest. Mjafton të kemi telefon të mençur dhe gjithçka të ndjekim onllajn. Prandaj edhe në dekretet që i miratuam përdorëm formulime të kujdesshme, themi: ‘… dhe çdo mjet për komunikim i cili do të mundësojë komunikim të dyanshëm”, theksoi ministri Ademi.

Ai sërish theksoi se mësimi onllajn është i detyrueshëm dhe tashmë u bë formal dhe mësimdhënësit janë të kahëzuar se të gjitha përmbajtjet dhe temat duhet t’i planifikojnë dhe organizojnë njejtë si edhe në mësimin e rregullt, klasik. Përmes e-platformës, e-postës dhe modeleve dhe mjeteve të tjera për komunikim elektronik duhet të mundësohet komunikim i dyanshëm mësimdhënës – nxënës dhe këmbim i të dhënave.

Lidhur me vlerësimin dhe kontrollimin e diturisë tek nxënësit, Ademi tha se mësimdhënësit mund të jenë shumë kreativë për të pamundësuar përshkrim të përgjigjeve, kështu që, tha, “kërkojmë kreativitet dhe përkushtim maksimal nga të gjitha palët”.

Theksoi edhe se që e-mësimi të ketë bazë ligjore, Qeveria i miratoi tre dekretet, të cilat kanë fuqi të ligjit, për tre nivelet e arsimit (fillor, të mesëm dhe të lartë) dhe me to konstatohet mënyra e organizimit dhe realizimit të mësimit në largësi.

Lidhur me mendimin që matura shtetërore të shtyhet për një muaj dhe për reagimet e prindërve pë propozimin e këtillë, Ademi sërish tha se disa opsione janë në tryezë dhe gjithçka varet nga ajo se sa kohë do të zgjatë kjo situatë.

“Shtyrja për në korrik në vend të qershorit është një nga opsionet dhe nuk do të humbet asgjë. Do ta ndjekim gjendjen, ndërsa më me rëndësi është se cilin do vendim ta sjellim, do të udhëhiqemi sipas interesit më të mirë të nxënësve tanë, duke i marrë parasysh të gjitha këto rrethana të jashtëzakonshme. Askush nuk do të dëmtohet”, tha Ademi.