Në Gjykatën themelore në Strugë sot filloi seanca kryesore për veprën penale “falsifikim i dokumenteve dhe punë të pandërgjgjshme” në shërbimin e shkollës në Veleshtë, ku, në mesin e katër të akuzuarve, është edhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.
Megjithatë, seanca në të cilën Merko po gjykohet për “emërimin e paligjshëm” të drejtorëve në shkollat fillore në fshatrat Podgorc, Labunishtë dhe “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë, është shtyrë për shkak të mungesës së dëshmitarëve.
Të akuzuarit Egzona Shei, Dritan Kaba, Vait Zhuta dhe Ramiz Merko, para gjykatës u deklaruan të pafajshëm.
Si dëshmitare, dëshmi dha Natasha Pintoska Beqaroska, inspektore e arsimit, e cila në vitin 2022 gjatë një inspektimi të jashtëzakonshëm ka konstatuar se drejtoresha e emëruar, Egzona Shei, nuk i ka plotësuar kushtet ligjore nga Ligji për arsimin fillor, pasi nuk kishte pesë vjet përvojë pune, nuk kishte certifikatën e gjuhës angleze dhe provimit për drejtor.
Drejtoresha, e cila ka marrë dy mandate, shtohet më tej, “ishte e punësuar me arsim të mesëm dhe akuzohet për falsifikim të diplomës”.
Në muajin qershor, kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, në lidhje me akuzat për emërimet e paligjshme, u shpreh se nuk ndihet fajtor për veprat për të cilat akuzohet nga prokuroria publike, Keqpërdorim në shërbim.
Ndryshe, më 20 qershor 2023 Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramiz Merkon. Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.
Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë.
Comments are closed for this post.