Fshati Belicë që gjendet në afërsi të Kërçovës është komuniteti i parë rural në Maqedoni që prodhon energji elektrike nga dielli. Shkolla e vjetër në fshat, e cila kohët e fundit është në funksionin e qendrës ekologjike përmes një projekti të Shoqatës Ekologjike Maqedonase dhe Eco Svest, të financuar nga Ambasada e Suedisë, u bë me panele fotovoltaike në çati nga të cilat me energji elektrike furnizohen të gjitha dhomat në këtë qendër, ndërsa teprica dorëzohet në rrjetin distributiv.
Ideja për një jetesë të qëndrueshme dhe shfrytëzim të burimeve natyrore, monitorim të klimës dhe ndërmarrje të veprimeve për zbutjen e ndryshimeve klimatike, i ka frymëzuar banorët e këtij vendi të vendosur në shpatet e malit Ilinska për të investuar në projekte ekologjike për më shumë se dhjetë vjet. Si pjesë e rajonit të Kërçovës, të varur nga përdorimi i thëngjillit, Belica është shembull se si duhet të duket një tranzicion i vërtetë drejt një të ardhmeje të gjelbër.
Komuna e parë e gjelbër në vend synon të jetojë me vlera ekologjike tradicionale dhe në këtë mënyrë të tërheqë turistë – të organizojë evente tradicionale, t’i edukojë vizitorët për traditat lokale dhe pasuritë natyrore të këtij rajoni, si dhe të shesë produkte ekologjike.
Ami Larsson Jain, ambasadorja e Suedisë në vend, sot gjatë vizitës së saj në Belicë, theksoi se është fat i madh që zonat e izoluara rurale mund të rivitalizohen duke përdorur energjinë e rinovueshme që i furnizon me energji elektrike dhe në të njëjtën kohë nuk e ndot mjedisin jetësor dhe nuk ka ndikim në vlerat e tyre natyrore.
Rreth 80 përqind e vendit është i mbuluar nga male në të cilat ka komunitete të ndryshme me biodiversitet të pasur dhe bukuri natyrore. Tërheqja e vizitorëve në to ofron mundësi për një eksperiencë ndryshe nga turizmi masiv. Në të gjithë botën, turizmi i qëndrueshëm i respekton vlerat natyrore, gjeneron të ardhura dhe në të njëjtën kohë e mbron edhe komunitetin, tha Larsson Jain.
Belica në vend është modeli i një fshati të vetëqëndrueshëm dhe të ndërgjegjshëm ekologjikisht, të përkushtuar ndaj mbrojtjes së mjedisit jetësor përmes përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore si dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe pasurive natyrore me qëllim zhvillimin e eko-turizmit. Prodhimi i energjisë së pastër dhe shndërrimi i objektit të shkollës në një qendër ekologjike funksionale, shumëfunksionale, edukative, rajonale i jep fshatit mundësi të jetojë me vlerat ekologjike tradicionale dhe t’ua prezantojë ato turistëve.
Sipas Zharko Koneski nga “Eko Svest”, komunitetet lokale janë aktorët kryesorë për një transformim të drejtë energjetik, ndërsa Belica është një shembull i shkëlqyer se si rajoni i Kërçovës i lidhur me thëngjillin, mund të vazhdojë të jetojë dhe të zhvillohet pas mbylljes së termocentralit Osllomej.
Qendra edukative në Belicë e vendosur në objektin e shkollës së vjetër tashmë prej disa muajsh përdor energji diellore nga panelet fotovoltaike. Kjo gjë i siguron objektit pavarësi energjetike për të përdorur energji për nevojat e veta dhe për ta dorëzuar tepricën në sistemit distributiv.
Sipas Robertina Brajanoska, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Ekologjike të Maqedonisë, komunitetin lokal e pret edhe themelimi i kooperativës energjetike, e cila është një model i mirë që praktikohet në botë, por në vendin tonë ende pritet të krijohet një bazë ligjore.
Në malin Ilinska, ku ndodhet Belica, njihen më shumë se 70 lloje shpendësh ndër të cilët më kryesorët janë shqiponja gjarpërngrënëse, bufi veshshkurtër, qukapiku i zi, qukapiku me kurriz të bardhëmdhe lloje të tjera si p.sh. trishtilat, bletëngrënësit, janë një pamje e shpeshtë që e zbukuron peizazhin. Kjo zonë, e cila konsiderohet si një korridor për kafshët e mëdha, është shtëpi e 35 llojeve të ndryshme të gjitarëve si ariu i murrmë, rrëqebulli ballkanik dhe vidra. Shumë shtëpi të braktisura nuk prishen sepse ato janë shtëpi e disa llojeve të lakuriqëve të natës që janë pjesë e biodiversitetit të pasur të rajonit. Komuna e gjelbër, përveçse inkurajon popullatën vendase për t’u rikthyer në mënyrën tradicionale të jetesës, në të njëjtën kohë i ruan edhe këto vlera natyrore.
Sipas Gorazd Smilevski nga BAS, në dy vitet e ardhshme qëllimi është që komuna e gjelbër të bëhet qendër rajonale për edukim, rekreacion dhe sport, e cila do të ofrojë qendër konferencash, ambiente akomodimi dhe restorant me ushqim tradicional.
Komuna e gjelbër do të organizojë evente, do të edukojë për traditat dhe vlerat, do të shesë produkte ekologjike dhe do t’i përfshijë edhe fshatrat e tjerë nga rajoni. Qëllimi është që të tërhiqen çifte të reja që do të ndërtonin një familje këtu dhe do të zhvillonin një eko-biznes. Ekziston edhe një plan për ta brenduar një produkt si specialitet i Belicës, thotë Smilevski.
Comments are closed for this post.