Nëse Sofja sonte i përgjigjet pozitivisht propozimeve të presidencës franceze për zgjidhjen e kontestit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, nesër pritet Këshilli për Çështje të Përgjithshme të BE-së ta miratojë kornizën negociuese dhe dokumentet shoqëruese për Shkupin dhe Tiranën, ndërsa në Samitin e Ballkanit Perëndimor të enjten të përcaktohen edhe datat për nisjen e negociatave, thekson “Standard” nga Sofja.

Gazeta kujton se përfaqësuesit e përhershëm diplomatik të vendeve anëtare të BE-së do të takohen sonte në Luksemburg për të diskutuar të ashtuquajturin “propozim francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe për fillimin e negociatave me Shkupin dhe Tiranën për anëtarësim në Union, me ç’rast qëndrimi i Bullgarisë për kornizën negociuese të propozuar nga Franca si kryesuese me BE-në pritet të prezantohet nga Komisioni për Punë të Jashtme i Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, pasi Qeveria në Sofje më 15 qershor vendosi që të gjitha vendimet për mosmarrëveshjen me vendin t’ua lërë deputetëve bullgarë.

“Standard” pretendon se në propozimin e dorëzuar të Presidencës franceze dhe të institucioneve evropiane, shumica e kërkesave të Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut janë pranuar dhe janë përfshirë në kornizën negociuese.

“Ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut do të sigurojë respektimin e të drejtave të bullgarëve në vend, ndërsa Komisioni Evropian do të monitorojë procesin, i cili përfshin diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes”, shkruan gazeta.

Ndërkohë nënkryetari i Kuvendit të Bullgarisë dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Kristian Vigenin vlerësoi se “propozimi francez” është zgjidhja më e mirë e ofruar që nga viti 2019.

Vigenin tha mbrëmë për Nova TV se propozimi përmbante për herë të parë pothuajse të gjitha çështjet që Bullgaria i konsideron problematike, lidhur me gjuhën e urrejtjes dhe të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Ekziston një mekanizëm monitorues që do të monitorojë këto çështje. Sa për bullgarët atje, është gjetur një zgjidhje që unë mendoj se është më e mira,” tha Vigenin, i cili është anëtar i Partisë Socialiste Bullgare.

Megjithatë, sipas tij, vendimi për tërheqjen e vetos bullgare ndaj vendit nuk duhet të merret vetëm nga Parlamenti, por duhet një debat më i gjerë publik.