Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani sot para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme tha se kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme, dua ta përsëris qartë dhe me zë të lartë – askush nuk e negocion identitetin.
“Gjuha dhe atributet e tjera identitare janë çështje që lindin nga e drejta e vetëvendosjes së çdo personi, e çdo populli, e çdo bashkësie etnike, e çdo shteti dhe është një e drejtë e patjetërsueshme më e fortë se çdo e drejtë tjetër. Nuk kemi negociuar për këto çështje, as nuk kemi të drejtë të negociojmë dhe as që do të negociojmë kurrë”, tha ministri i Jashtëm Bujar Osmani në fjalimin e tij para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për rrjedhën e bisedimeve dhe marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes.
Ai theksoi se mund të ketë pasur tentativa të tilla në të kaluarën kur janë paraqitur disa teza për mohimin e identitetit të maqedonasve si “një popull në dy shtete”, që, thotë Osmani, ishte një përpjekje për të imponuar një pikëpamje të vetme të së vërtetës historike, por me një qasje të mençur, racionale, argumentuese arritëm të tregojmë se këto janë dukuri retrograde, se nuk përputhen me vlerat e qytetërimit modern dhe mendoj se ia dolëm.
“Sot nuk po flasim më për identitet, por vetëm për qasjen ndaj përcaktimit të së drejtës për vetëvendosje të secilit – në përputhje me rendin ekzistues shtetëror në të dy vendet. Kjo na shpie në grupin e çështjeve politike që deri vonë quhej pakoja 5+1”, tha Osmani.
Comments are closed for this post.