Ushtria shqiptare angazhohet të sigurojë kampin me refugjatë afganë të ngritur në Ferizaj të Kosovës. Kështu tha ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, që po zhvillohet në Bruksel.
“Aktualisht vendi ynë ka pranuar rreth 2000 qytetarë afganë dhe zotimi i Qeverisë shqiptare është të mirëpresë rreth 4000 të tillë. Për më tepër, vetëm pak javë më parë, Forcat tona të Armatosura, dislokuan një kompani të Policisë Ushtarake të cilët do të japin kontributin e tyre për ruajtjen dhe sigurinë e kampit “Bechtel” në afërsi të Ferizajt, ku janë akomoduar refugjatët afganë të strehuar në Kosovë”, tha ai.
Peleshi ripërsëriti vendosmërinë e vendit tonë për zbatimin e zotimeve të marra në Samitin e Uellsit në vitin 2014, që konsistojnë në arritjen e nivelit 2% të buxhetit të mbrojtjes dhe 20% të këtij buxheti në investime, deri në vitin 2024.
Në përfundim të ditës së parë të këtij takimi, ministrat firmosën “Letrën e Qëllimit”, nëpërmjet së cilës vendet anëtare zotohen të bashkëpunojnë mbi zhvillimin e menaxhimin e zbulimit të agjentëve kimikë, biologjikë e radiologjikë, si dhe identifikimin e kapaciteteve, por njëkohësisht edhe për sigurimin e pajisjeve mbrojtëse kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore.
Comments are closed for this post.