Ambasadori i BE-së në Shkup në një prononcim për shtyp për strategjinë e re të zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian tha se Komisioni vendosi këto rregulla të reja për ta bërë procesin më të besueshëm dhe më dinamik politikisht.

Ai nënvizoi që ndërkohë që Komisioni po bën punën e tij, vendet kandidate duhet të bëjnë punën e tyre dhe të vazhdojnë reformat e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit, sundimit të ligjit dhe të zhvillojnë zgjedhje të ndershme, fer dhe demokratike.

Për strategjinë e re të zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian ai tha se metodologjia e re për fillimin e negociatave është një “fitore” që vlen si për vendet kandidate ashtu edhe për vet Bashkimin Evropian.

Zhbogar tha se procesi i zgjerimit përfaqëson një investim strategjik për Bashkimin dhe kontribuon në stabilitetin dhe unitetin e tij, ndërsa për rajonin është një riafirmim që vetëm anëtarësimi i plotë është qëllimi i procesit të pranimit.

“Qëllimi i dokumentit është të shpejtojë procesin e pranimit që kohët e fundit ka humbur disa energji, nga të dy palët. Qëllimi është gjithashtu të rivendoset besimi midis vendeve anëtare dhe kandidatëve, i cili gjithashtu është ndërprerë në vitet e fundit “, tha Zbogar.