Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe ministri britanik i Ekonomisë dhe Eksportit Gareth Thomas nënshkruan sot në Londër Marrëveshjen për Partneritet për zbatimin e objekteve infrastrukturore, e cila i siguron vendit vëllimin më të madh të mjeteve ndonjëherë prej pesë miliardë funte për realizimin e projekteve kapitale.

Partneritetin strategjik me Mbretërinë e Bashkuar e shohim si diçka që do ta sjellë Maqedoninë në një nivel të ri. Sot po nënshkruajmë një Marrëveshje ndërmjet dy qeverive, të cilën e quajmë Marrëveshje Ndërqeveritare, për zhvillimin e projekteve infrastrukturore në sektorët kyç si transporti, arsimi, mjedisi, teknologjia informative, si dhe sektorët tjerë që do t’i zhvillojmë, përfshirë shëndetësinë dhe arsimin, dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë edhe në periudhën e ardhshme, tha Nikolloski pas nënshkrimit të Marrëveshjes.

Jemi vërtet mirënjohës, vazhdoi Nikolloski, që Mbretëria e Bashkuar me Instrumentin e saj për përkrahje të financimit të jashtëm ka vendosur një kornizë prej pesë miliardë funtesh, që është marrëveshja më e madhe që vendi ka nënshkruar në historinë e saj në sferën ekonomike.

Ne e shohim këtë si një mundësi të madhe për të zhvilluar të gjithë vendin. Tashmë kemi tre projekte të gatshme, konkretisht projektin e hekurudhës së shpejtë, Korridorin 10, projektin e shëndetësisë për spitalet dhe sigurisht projektin e edukimit, për Fakultetin e Mjekësisë dhe në periudhën në vijim do të kërkojmë projekte të reja në sektorin e energjisë dhe mjedisit, por sigurisht edhe projekte të tjera. Ajo që është edhe më e rëndësishme për ne është se do të shfrytëzojmë përvojën, por edhe ekspertizën më të mirë nga administrata publike britanike, si dhe nga biznesi britanik, që do ta sjellë administratën tonë dhe sektorin tonë të biznesit në një nivel krejtësisht të ri, theksoi Nikolloski.

Ministri britanik Thomas theksoi se të dy vendet kanë marrëdhënie të forta dypalëshe, si aleatë të NATO-s dhe vlerësoi se ky partneritet i ri është një hap i rëndësishëm përpara në tregtinë e ardhshme mes dy vendeve.

Ai shprehu kënaqësinë për mundësinë që bizneset maqedonase dhe britanike të bashkëpunojnë për realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore në vend.

-Marrëveshja ndërqeveritare do të mbështesë realizimin e projekteve kyçe, fillimisht me fokus në objektet moderne dhe shëndetësore dhe aksesin në shërbimet shëndetësore. Sigurisht që është hekurudha e re, e cila do të reduktojë kohën e udhëtimit si për njerëzit ashtu edhe për mallrat. Ne e dimë se investimet në infrastrukturë janë vendimtare për nxitjen e rritjes ekonomike dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. E di që ky është qëllimi ynë i përbashkët, sigurisht për qeveritë tona dhe ky partneritet është themeli i ri për të mbështetur një ofertë të tillë për të nxitur rritjen, për të ndarë praktikat më të mira mes dy kombeve tona dhe sigurisht për të ngritur marrëdhëniet tona të ndërsjella në një nivel të ri, theksoi ministri britanik Thomas.

Qeveria maqedonase miratoi tekstin e Marrëveshjes dje pasi kryeministri Hristijan Mickoski dhe homologu i tij britanik Keir Starmer arritën marrëveshje për partneritet strategjik në një takim të mbajtur në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.

Vizita në kryeqytetin britanik, e udhëhequr nga zëvendëskryeministri Nikolloski, i cili udhëheq delegacionin qeveritar, në përbërje të të cilit janë zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ministrja e Arsimit Vesna Janevska dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturë Hekurudhore, Sinisha Ivanovski, zyrtarisht filloi dje në takimin me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Financave të Britanisë së Madhe.