Një mbrëmje e mbushur me muzikë, spektakël dhe energji, por edhe me tensione dhe protesta. Eurovision 2025 në Bazel u fitua nga Austria me këngëtarin me origjinë filipinase, JJ me këngën “Wasted Love”. Me një zë kontratenor të veçantë dhe një skenografi që përshkruante një varkë në mes të skenës, JJ emocionoi audiencën dhe juritë evropiane me një baladë për një dashuri platonike dhe të parealizuar.
Austria arriti një total prej 436 pikësh, duke marrë 179 pikë nga televotimi i publikut dhe duke qenë një nga këngët më të vlerësuara edhe nga juritë profesioniste të vendeve pjesëmarrëse.
Në vendin e dytë u rendit Izraeli me 357 pikë, në një edicion të shënuar nga përplasjet në qendër të qytetit të Bazelit mes policisë dhe protestuesve pro-palestinezë, disa prej të cilëve tentuan të hynin edhe në skenë gjatë performancës së këngëtares izraelite, Yuval Raphael.
Në vendin e tretë u rendit Estonia me 356 pikë. Shqipëria u pozicionuar në vendin e 8-të me 218 pikë, prej të cilave 173 pikë erdhën nga publiku.
Në skenën e Eurovision 2025 në Bazel, Shqipëria u paraqit me një performancë dinamike që tërhoqi vëmendjen e publikut europian. Shkodra Elektronike interpretoi këngën “Zjerm”, një krijim unik që bashkoi elementë të muzikës elektro-pop me motive tradicionale shqiptare.
Performanca u karakterizua nga energji dhe një vizualitet që solli në skenë simbole kombëtare në një formë bashkëkohore. “Zjerm” u dallua për stilin e tij të veçantë dhe përpjekjen për të përfaqësuar një identitet muzikor modern që nuk harron rrënjët.
Përmes një skenografie të kuruar, kënga përcolli një mesazh për bashkëjetesë kulturore duke lënë gjurmë me origjinalitetin e saj.
Në një mbrëmje magjike, ku dritat shumëngjyrëshe vallëzonin mbi skenë, nisi nata finale e Eurovision 2025 në Bazel. Spektakli nisi me interpretimin e fituesit të vitit të kaluar, Nemo me “The Code”, përmes një performance energjike. Ashtu siç e do tradita, finalja nisi me paradën e madhe të 26 artistëve me flamujt e vendeve të tyre.
Dyshes së moderatorëve, Hancel Bruger dhe Sandra Shtuder, në finale uu bashkua edhe ylli i spektakleve italiane, Michelle Hunziker.
Ndërkohë, në mesin e performancave më të komentuara ishin dhe përfaqësuesit e Italisë, ku Lucio Corsi, i përkrahur publikisht nga emra të mëdhenj si Andrea Bocelli, Laura Pausini, Eros Ramazzotti dhe Gianna Nannini, mahniti publikun me këngën “Volevo essere un duro”. Me një stil që nuk pranon kompromise, Cors rrëmbyeu zemrat e shumë shikuesve, përfshirë edhe Ed Sheeran, i cili në rrjetet sociale e quajti këngën italiane “të shkëlqyer”. Italia u rendit në vendin e pestë.
Franca u përfaqësua nga Louane, e njohur nga filmi “La Famille Bélier”, me këngën “Maman”, një baladë me shpresën për të thyer mallkimin 48-vjeçar pa fitore për Parisin në Eurovision. Ndërkohë, San Marino solli një shpërthim energjie me DJ-n e famshëm Gabry Ponte dhe këngën “Tutta l’Italia”, i veshur me një kostum argjendi që bëri të kërcente e gjithë arena.
Suedia çmendi audiencën me grupin Kaj dhe këngën “Bara bada bastu”. Danimarka u rikthehe në finale pas gjashtë vitesh mungesë me Sissal dhe “Hallucination”, një miks elektropop me atmosferë hipnotike. Greqia solli emocione me Klavdia Papadopoulou dhe këngën “Asteromata”, që përkujton tragjeditë historike të grekëve të Pontit, ndërsa Armenia u përfaqësua me Parg dhe këngën “Survivor”.
Momente tensioni nuk munguan, pasi gjatë performancës së përfaqësueses izraelite Yuval Raphael, disa protestues tentuan të hyjnë në skenë, por u ndaluan menjëherë nga sigurimi. Skena u rikthye shpejt në normalitet.
Malta solli ngjyra me Miriana Conte dhe këngën “Serving”, një shoë i mbushur me ndryshime veshjesh, akrobaci dhe një dedikim për Toto Cutugnon, fituesin e Eurovision 1990. Zvicra, si vendi mikpritës u rendit e dhjeta dhe u përfaqësua nga Zoë Më me këngën “Voyage”, një përvojë poetike mes tymit e dritave që pushtoi arenën. Gjermania solli një frymë urbane me duon Abor & Tynna dhe këngën “Baller”, një produksion elektropop i plotë energji me tekst në gjuhën gjermane. Ndërkohë, Polonia u kthye tek natyra me Justyna Steczkoëska dhe “Gaja”, një himn për Tokën me skenografi impresionuese që përfshinte elemente uji, zjarri dhe planetësh.
Renditja e Eurovision 2025
Austria – JJ – Wasted Love
Izraeli – Yuval Raphael – New Day Will Rise
Estonia – Tommy Cash – Espresso Macchiato
Suedia – KAJ – Bara Bada Bastu
Italia – Lucio Corsi – Volevo essere un duro
Greqia – Klavdia – Asteromáta
Franca – Louane – Maman
Shqipëria – Shkodra Elektronike – Zjerm
Ukraina – Ziferblat – Bird of Pray
Zvicra – Zoë Më – Voyage
Finlanda – Erika Vikman – Ich komme
Holanda – Claude – C’est La Vie
Letonia – Tautumeitas – Bur Man Laimi
Polonia – Justyna Steczkowska – Gaja
Gjermania – Abor & Tynna – Baller
Lituania – Katarsis – Tavo Akys
Malta – Miriana Conte – Serving
Norvegjia – Kyle Alessandro – Lighter
Mbretëria e Bashkuar – Remember Monday – What The Hell Just Happened?
Armenia – Parg – Survivor
Portugalia – NAPA – Deslocado
Luksemburgu – Laura Thorn – La Poupée Monte Le Son
Danimarka – Sissal – Hallucination
Spanja – Melody – Esa diva
Islanda – VÆB – Róa
San Marino – Gabry Ponte – Tutta L’Italia
Comments are closed for this post.