Diplomatët francezë në Bruksel refuzojnë të thonë zyrtarisht nëse propozimi i publikuar në mediat bullgare dhe ato maqedonase është autentik.
Në vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian, një heshtje e ngjashme ka ndodhur deri më tani.
Nga ana tjetër, në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari, fokusi dje ishte tek propozimi francez.
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani, pretendon se propozimi francez nuk i është dorëzuar zyrtarisht vendit, për të cilin, siç tha dje, “qëndrimin tonë do ta shprehim kur të vijë koha”.
Ndërkohë, në Bullgari, presidenti Rumen Radev tha dje se propozimi francez ishte një hap në drejtimin e duhur, por se një sërë çështjesh mbeten për t’u sqaruar para se të hiqet vetoja.
Kryeministri bullgar Kiril Petkov, ndërkaq, ka bërë të ditur se nuk do të marrë asnjë vendim pa mbështetjen e Kuvendit Kombëtar.
Gjatë ditëve të fundit janë publikuar disa dokumente në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë kornizën e re të negociatave, e cila nëse pranohet nga të gjitha palët, do të miratohet më 23 qershor në Këshillin Evropian.
Ministri Osmani dje në një konferencë për media tha se vendi do të deklarojë qëndrimin e tij për propozimin, pasi të dëgjojë vërejtjet e të gjitha vendeve anëtare.
“Ajo që po ndodh është se nga Presidenca ka një propozim për vendet anëtare, përfshirë Republikën e Bullgarisë, për të komentuar disa ide që presidenca franceze mendon se mund të jenë bazë për vazhdimin e procesit. Nuk mendoj se është në interesin tonë që ne të shprehim qëndrimin tonë për propozime të tilla derisa të dëgjojmë qëndrimet e shteteve anëtare, pasi shtetet anëtare të kenë shprehur pikëpamjet e tyre, pra 26 shtete anëtare, le ta thotë secili qëndrimin e vet”, tha Osmani.
Osmani u shpreh se puna e qeverisë së Maqedonisë është të bëjne analiza të situatave duke shtuar se punojnë profesionalisht, pa emocione dhe në interes të mbrojtjes së interesave shtetërore.
Comments are closed for this post.