Në kuadër të shënimit të 22 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, për herë të dytë organizon Shkollën për Liderë të Rinj ”Peace Forum Dialogue”.

Këtë njoftim e ka bërë, zëvendëskryeministri i parë, njëherë edhe ministër në Ministrinë për Sistem Politik.

Sipas Grubit, Ministria për Sistem Politik, përmes kësaj shkolle, u jep mundësi të rinjve të përfitojnë informacione dhe njohuri mbi funksionimin e sistemit politik në Republikën e Maqedonisë, Marrëveshjen e Ohrit dhe dy marrëveshjet bilaterale me fqinjët, ngjarjet aktuale politike e të sigurisë në botë, si dhe ndërtimin e paqes dhe bashkëjetesës ndërmjet bashkësive etnike dhe integrimin e të rinjve në jetën publike, sociale, ekonomike dhe kulturore në vendin tonë.

“Qëllimi i Shkollës për Liderë të rinj është përvetësimi i njohurive të reja dhe përsosja e aftësive drejtuese për mundësi dhe kontribut për të ardhmen, në ndërtimin e një shoqërie me prosperitet të gjithmbarshëm. ”Peace Forum Dialogue” do të mbahet nga 11.08.2022 deri më 13.08.2022 në Mavrovë, ndërsa trajnimi do të organizohet në gjuhën maqedonase dhe shqipe”, njofton Grubi.

Shton se të drejtë pjesëmarrjeje kanë të rinjtë e moshës 20 deri më 30 vjeç, të cilët nuk kanë marrë pjesë në PFD 2022.

“Shpenzimet e akomodimit dhe transportit do të mbulohen nga organizatori. Afati i regjistrimit zgjat 5 ditë nga dita e shpalljes së konkursit. Në fund të trajnimit të gjithë pjesëmarrësve do t’u ndahet Certifikatë”, ka shtuar Grubi në njoftimin e tij.

Pjesëmarrësit e interesuar duhet të dorëzojnë Letër motivuese dhe Biografi në e-mail adresën [email protected] dhe [email protected].