Një total prej 8.3 miliardë dollarësh rezerva dhe asete të Bankës Qendrore të Rusisë janë të depozituara në shtetin e Zvicrës. Këtë fakt e bëri të ditur të mërkurën, Ministria e Ekonomisë në Zvicër. Publikimi i këtyre të dhënave pasoi një vendim të mëhershëm që detyron institucionet financiare të Zvicrës t’i raportojnë këto fonde, ngjashëm siç funksionon në Bashkim Evropian.
Përveç aseteve të Bankës Qendrore të Rusisë, Zvicra ka edhe asete të tjera të ngrira ruse në vlerë 7.5 miliardë franga zvicerane. Këto u përkasin njerëzve, kompanive ose organizatave që janë nën sanksione ndërkombëtare për shkak të sulmit rus në Ukrainë, sulm ky që nisi në muajin shkurt të vitit 2022.
“Diskutimet po vazhdojnë në BE nëse asetet e Bankës Qendrore të Federatës Ruse duhet të përdoren për investime dhe të ardhurat e tyre të përdoren për rindërtimin e Ukrainës”, tha Qeveria zvicerane, raporton agjencia e lajmeve DPA.
Përveç BE-së, shumë shtete të tjera përfshirë SHBA-në, u kanë vendosur sanksione zyrtarëve të ndryshëm të Rusisë si dhe biznesmenëve të lidhur me Kremlinin.
Comments are closed for this post.