Romelu Lukaku do t’i fitojë rreth nëntë milionë euro në vit te Interi, ndërsa mediat angleze pretendojnë se, për shitjen e sulmuesit belg, Manchester Unitedi i fitoi 80 milionë euro.

Sport MediaSet, Corriere dello Sport dhe ANSA specifikojnë se në pagën prej nëntë milionë eurove në sezon janë të përfshira edhe bonuset. Ndërsa, sipas BBC Sport dhe The Telegraph, belgu i kushtoi Interit 80 milionë euro, transmeton Gazeta Express.

Dëshira për ta kompletuar sa më shpejt transferimin e tij dhe oferta e fundit e Interit – 70 milionë euro dhe 10 milionë euro të tjera në formë të bonuseve, si dhe 5 për qind të çfarëdo shume për të cilën mund të shitet Lukaku në të ardhmen – e bindi Manchester Unitedin ta shesë belgun.

Ai udhëtoi drejt Italisë natën e së mërkurës, me një aeroplan privat, bashkë me agjentin Federico Pastorellan, i cili e publikoi fotografinë e udhëtimit të tyre në Instagram.

Rreth 500 tifozë të Interit shkuan në aeroportin “Malpensa” për ta përshëndetur belgun, përkundër faktit që ora kishte shkuar pas 2:00 të mëngjesit kur arriti Lukaku me agjentin e tij.

26-vjeçari do t’i kryejë testet mjekësore gjatë ditës së enjte dhe pastaj pritet ta nënshkruajë një marrëveshje pesëvjeçare, në vlerë prej 7.5 milionë eurosh në vit.

Manchester Unitedi e kishte blerë atë nga Evertoni në vitin 2017 për 84.7 milionë euro dhe kishte shpresuar se do të arrijë ta kthejë këtë shumë përsëri në klub, mirëpo, gjatë negociatave me Interin, anglezët e kuptuan se do ta kenë të pamundur të marrin ofertë më të madhe sesa 80 milionë euro.

Lukaku kishte qenë shumë afër transferimit në Juventus javën e kaluar, mirëpo Paulo Dybala e refuzoi Manchester Unitedin dhe e dështoi marrëveshjen për shkëmbimin e lojtarëve.