Kryeministri Zoran Zaev ka marrë autorizim nga Qeveria që t’i krijojë politikat financiare në Ministrinë e Financave.

Vendimi është sjellur në seancën e mbrëmshme, ndërsa e konfirmoi sot zëdhënësi i qeverisë, Muhamed Hoxha, i cili tha se kryeministri do të menaxhojë aktivitetet në fushën e politikave financiare, ndërsa zv.ministrja e Financave Shiret Elezi, do t’i ketë të gjitha kompetencat me udhëheqjen e ministrisë,

Qeveria nuk sqaroi se çfarë saktësisht do të thotë kjo ndarje e funksioneve, por në insistim të gazetarëve, zëdhënësi Hoxha tha se në praktikë Zaev do të tregojë se çfarë duhet, ndërsa zv.ministrja Elezi do të nënshkruajë.

Ky vendim vjen pas rikonstruimit qeveritar, me të cilin u shkarkua ministri i deritanishëm Dragan Tevdovski, ndërsa Zaev propozoi veten e tij si ministër të këtij dikasteri.

Por, pas reagimeve negative në opinion dhe paralajmërimeve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Zaev tërhoqi propozimin dhe vendosi ta udhëheq Ministrinë e Financave deri në zgjedhjen e ministrit të ri.