Në seancën “65 vjet pas Traktatit të Romës: A është Evropa plotësisht e rinovuar dhe e integruar ekonomikisht?”, panelistët diskutuan Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Planin Ekonomik të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, mënyrat për të forcuar rimëkëmbjen ekonomike, konvergjencën dhe integrimi e rajonit në tregun e përbashkët të BE-së, por gjithashtu u trajtua dhe nevoja urgjente për marrjen e masave të fuqishme ekonomike, infrastrukturore dhe financiare si parakusht për një integrim të suksesshëm në BE.

“Forcimi i bashkëpunimit ekonomik midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor është më i rëndësishëm se kurrë. Liderët e Ballkanit Perëndimor kanë marrë angazhime të forta për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të rajonit, por tani ato angazhime kërkojnë veprim, unanimitet dhe një motiv të përbashkët.Është gjithashtu thelbësore të ruhet momenti i rezultateve të prekshme që kemi arritur deri më tani së bashku, por të zhvillohet potenciali për rritje duke forcuar integrimin ekonomik rajonal. 65 vitet e Traktatit të Romës na mësojnë se një treg i përbashkët rajonal është një mënyrë e mirë për të arritur qëllimin. Duke u fokusuar në vizionin e një tregu “identik të BE-së”, ne kemi vendosur prioritete ambicioze këtë vit, në mënyrë që të lehtësojmë më tej tregtinë e mallrave dhe shërbimeve ndërmjet palëve të CEFTA-s, por edhe të zhvillojmë mekanizma të rinj për të përmirësuar tregtinë ndërmjet palëve kontraktuese. ” tha drejtori i CEFTA-s, Emir Xhikiq.

Seancën e hapi kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërsa fjalim mbajti edhe Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelji.

Panelistët përfshinin kryeministra dhe ministra rajonalë, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave rajonale.

“Ideja e Forumit të Prespës për Dialog është që përmes takimeve formale dhe joformale të mundësojë një debat të frytshëm intelektual dhe politik, i cili do të gjenerojë ide për procese, zgjidhje praktike dhe të mundshme për çështje të hapura me karakter rajonal dhe global dhe do të ofrojë një shtysë të konsiderueshme për avancimin dhe pasurimin e bashkëpunimit rajonal”, thuhet në deklaratën e CEFTA-s.