Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi në takimin e 10-të të kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore që po zhvillohet në Budapest tha se Hungaria ka dëshmuar në dekadat e kaluara se është për integrimin tonë të përshpejtuar dhe të plotë evropian dhe euroatlantik.
“Ky është interesi ynë i përbashkët nëse kihet parasysh fakti që potencohet në më shumë raste nga politikanë të lartë evropianë, përkatësisht se, nëse Unioni dëshiron stabilitet më të madh në fqinjësinë e vet, atëherë nevojitet perspektivë e besueshme evropiane për Ballkanin Perëndimor, e bazuar në sistemin e meritave.
Mirëpo, doemos duhet të theksoj se ajo perspektivë rrezikon të bëhet e lodhshme dhe joatraktive për ne si vende kandidate nëse dështon dhe nuk i respekton vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian që në plan të parë e vënë prosperitetin, paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të kontinentit”, tha Xhaferi.
Xhaferi tha se Republika e Maqedonisë së Veriut ka arritur progres mbresëlënës në fushën e zbatimit të pakos së reformave kryesore, ndërkaq me nënshkrimin dhe zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dëshmuam se mundemi të shërbejmë si model për kohezionin e brendshëm, avancimin dhe kultivimin e marrëdhënieve ndëretnike.
“Besonim se me nënshkrimin e marrëveshjes me Bullgarinë dhe me pranimin e të gjitha propozimeve të kryesisë së Bashkimit Evropian të propozuara vitin e
kaluar, duke përfshirë edhe propozimin nga maji 2021, do ta tejkalojmë edhe kontestin me Republikën e Bullgarisë, megjithatë, fatkeqësisht, përgjigjja nga Bullgaria është në drejtim krejtësisht të kundërt, plotësisht e ndryshon qasjen ndaj procesit, që është në kundërshtim me përpjekjet për përforcimin e besimit dhe dialogut të pandërprerë politik. Kuptohet, situata momentale komplekse në Bullgari e pamundëson dialogun tonë më aktiv, duke përfshirë edhe në nivel parlamentar, ku si kolegë deputetë do të mund të bisedonim më hapur dhe në mënyrë më fleksibile dhe të kontribuonim bashkërisht në tejkalimin e kësaj gjendjeje me gjetjen e kompromisit për çështjet e hapura”, shtoi Xhaferi.
Comments are closed for this post.