Emisari Special i Presidentit të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka reaguar ashpër ndaj kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai ka thënë e Kurti është gjithmonë kundër SHBA-së.

“Një gjë është e sigurt, gjithmonë mund të llogarisësh se Albin Kurti do të jetë kundër SHBA-së. Ishte kundër ideve të Obamas dhe ishte kundër ideve të Bushit. Simbolizmi nuk paguan qiratë; punët po”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Kështu ai i është kundërpërgjigjur ish-kryeministrit Kurti, i cili ka thënë se Vetëvendosje, kur të vijë në pushtet, s’do të kenë detyrime të zbatojë marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, nga kryeministri Avdullah Hoti.

“Nënshkrimi i tij poshtë teksteve jo koherente dhe jo transparente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel kushtetutën e ligjet e Kosovës. Nuk do të ratifikohen në Parlamentin tonë. Ndërmjetësuesit duhet të ndalin së shtyri marrëveshje që shkaktojnë përçarje tjera mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm një dialog parimor dhe i përgatitur mirë çon te marrëveshje të drejta dhe të qëndrueshme”, ka shkruar Kurti në Twiter.