Nuk parashihen masa të reja restriktive në lëvizjen e njerëzve nëpër pikat kufitare të vendit. Megjithëse, shumë shtete të BE-së kanë bllokuar çdo udhëtim me Afrikën e Jugut, Maqedonia mbetet në masat aktuale. Varianti i ri i virusit Omikron, i detektuar më 24 nëntor në Afrikën e jugut nuk ka ngritur alarmin e Komisionit për sëmundje infektive. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se mbyllja e kufijve nuk mund të ketë efekt, por që kërkon masat aktuale të respektohen me përpikëri

“Vlerësoj se masat restriktive si mbyllja e kufijve apo karantina e udhëtarëve që vijnë nga shtete të caktuara nuk do të jep efekt për shkak se në disa vende të Evropës edhe përkundër masave të reja sërish është detektuar ky variant. Thjeshtë nuk mund të ndalet me kufijtë, shpërndarja do jetë njësoj në gjithë globin. Ashiqare që variante të reja do të paraqiten edhe në të ardhmen andaj ne mbetemi në masat aktuale, duke vlerësuar se janë të mjaftueshme nëse respektohen në përpikëri”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Izraeli dhe Japonia kanë ndaluar hyrjen për të gjithë të huajt, dhe Britania, Holanda, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ndërprerë lidhjet ajrore me vendet në Afrikën Jugore.

Sa i përket vaksinimit, Qeveria në seancën e fundit nuk e miratoi propozimin e Komisionit për sëmundje ngjitëse për vaksinim të obligueshëm të punëtorëve shëndetësorë dhe rekomandim për imunizimin e sektorit publik dhe privat.

“Bëmë studime dhe analizuam të gjitha vendet e BE-së si dhe të rajonit si janë rezultatet nga masat e propozuara dhe efekti i tyre. Masa të tilla për të shtyrë të vaksinohen të punësuarit në sektorin publik dhe privat ka në Slloveni, Kroaci dhe Greqi. Informacionet tona janë se nuk ka rritje të theksuar të vaksinimit pas zbatimit të kësaj mase. Kështu që sërish do të diskutojmë për këtë çështje”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Nesër në seancën e qeverisë do të diskutohet edhe propozimi i ri i Komisionit, ku pritet që mjekët amë të shpërblehet me 30 denarë për pacient nga numri i përgjithshëm i pacientëve të regjistruar tek ta, pasi të tejkalojnë 70% të vaksinimeve nga numri i përgjithshëm i pacientëve. Konkluzioni nga takimi i mëngjesit të KSI është se gjendja me Covid-19 në vend është e qëndrueshme, incidenca javore është 5% më e ulët se javën e kaluar dhe kjo ndihet, edhe pas situatës me vendet e lira në spitale. Ndërkaq, nga Ministria e Arsimit thonë se gjendja është e qëndrueshme edhe nëpër shkolla dhe pandemia nuk po rrezikon mbarëvajtjen e procesit edukativ arsimor./Alsat.mk