Vendi sot do të jetë në fazën e verdhë dhe alerte me temperatura që në disa pjesë të caktuara do të arrijnë 40 gradë Celsius. Mu për këtë, autoritetet kompetente apelojnë qytetarët t’i respektojnë masat për mbrojtje nga temperaturat e larta: të qëndrojnë në hapësira të mbyllura, të konsumojnë më shumë lëngje por edhe të mbajnë rroba të lehta me ngjyra të hapura.

Sipas rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët duhet të qëndrojnë më shumë në hapësira të mbyllura, mundësisht të klimatizuara ndërsa nëse duhet të dalin jashtë të pushojnë më shpesh nën hije, të mbajnë rroba të lehta dhe të ndritshme, si edhe syze mbrojtëse dhe kapelë gjatë ekspozimit të drejtpërdrejt në diell. E rëndësishme është të përdoret krem me faktor të lartë mbrojtës, të futet sasi më e vogël e ushqimit, kryesisht fruta dhe perime dhe jo ushqim me yndyrëra, të konsumohen sasi të mëdha lëngjesh, më së miri ujë i pijshëm dhe të shmangen pijet alkoolike.

Gjatë hyrjes në automjet, preferohet të ajroset për disa çaste.

Personave me sëmundje kronike u rekomandohet rregullisht ta marrin terapinë e përshkruar në konsultim me mjekët amë.

Lidhur me ushqimin, nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se për shkak të temperaturave të larta ekziston mundësia për paraqitjen e helmimeve dhe sëmundjeve infektuese në zorrë. Rekomandohet larje e obligueshme e produkteve bujqësore-kopshtare (perime të freskëta dhe fruta) para përdorimit të tyre, përgatitje termike dhe konsum menjëherë pas përgatitjes.

“Komisioni për ndjekjen e efekteve nga temperaturat e larta në vazhdimësi e ndjek gjendjen dhe sipas nevojës do të propozojë masa dhe aktivitete për minimizimin e efekteve të dëmshme eventuale prej temperaturave të larta”, thekson Ministria e Shëndetësisë.

Për shkak të temperaturave të rritura, Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim dhe Ligji për pyjet alarmon për rrezik të rritur prej zjarreve në hapësirë të hapur dhe u bën apel qytetarëve për sjellje të përgjegjshme me qëllim që të ruhen pasuritë natyrore të vendit prej dëmeve të pariparueshme.

Për shkak të motit të nxehtë nga Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit paralajmëruan se ekipet mobile do të shpërndajnë ujë nëpër rajonin qendror të qytetit dhe stacionet më të mëdha të autobusëve. Ekipet mobile do të jenë në terren në periudhë nga ora 10 deri në orën 16. Planifikohet distribuimi i 800 shisheve apo 400 litra ujë në bazë ditore.

DPHM sot paralajmëroi mot të nxehtë me temperatura maksimale të cilat kudo do të jenë mbi 30 gradë Celsius ndërsa në pjesët juglindore të vendit deri në 40 gradë Celsius. Vranësira të rritura priten nesër kur do të ketë kushte për jostabilitet lokal me shi afatshkurtër të rrëmbyeshëm dhe vetëtima. Nga e diela pason stabilizim i motit.