Ushtria izraelite merr kontrollin e spitalit kryesor të Gazës, Al-Shifa. Mediat ndërkombëtare thanë se trupat ushtarake hynë brenda në spitalin, ku ata besojnë se ndodhet qendra e fshehtë nga ku Hamasi komandon operacionet e militantëve të tij.

Dëshmitarët thanë se ushtarët po ushtrojnë kontrolle të imtësishme brenda spitalit. Po marrin në pyetje stafin, pacientët dhe po kontrollojnë dhomë për dhomë pasi janë në kërkim të gjurmëve të 240 pengjeve që Hamsi mori gjatë sulmit të 7 Tetorit në jug të Izraelit.

Lajmin e konfirmoi edhe zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, i cili tha se trupat e mbrojtjes së Izraelit, tani kontrollojnë edhe qendrën e qytetit të Gazës. Të dhënat se në këtë spital, Hamasi ka qendrën e komandimit, Tel Avivi i ka marrë nga zbulimi amerikan, por Hamasi e mohon këtë kategorikisht.

Këto filmime tregojnë edhe tymin që përfshiu ambientet e brendshme të spitalit Al-Shifa pasi u godit nga një predhë e ushtrisë izraelite. Kompleksi më i madh spitalor i Rripit të Gazës është në errësirë pasi gjeneratorët nuk funksionojnë si pasojë e mungesës së naftës nga bllokada izraelite.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit të tërhiqet menjëherë, duke thënë se spitalet civile nuk mund të shndërrohen në fushëbeteja. Pas më shumë se një muaji, numri i viktimave nga sulmi izraelit në Rripin e Gazës ka arritur në mbi 11 mijë. 40% e tyre janë fëmijë.