Ukraina dhe Moldavia janë pranuar si kandidate për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian të enjten, një lëvizje që do të rrisë moralin e vendit pas betejave të shumta me trupat ruse.

Kjo është bërë e ditur pasi udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur sot në Bruksel teksa kanë diskutuar rreth kandidaturës së Ukrainës.

Një hap i tillë vjen pas atij kur Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë me 529 vota për, 45 kundër që u bën thirrje liderëve të Bashkimit Evropian që të miratojnë statusin e Ukrainës si një vend kandidat në BE “pa vonesë”.

“Sapo i është dhënë statusi i kandidatit për anëtarësim në BE për Ukrainën dhe Moldavinë. Një moment historik”, ka shkruar në Twitter, Charles Michel, presidenti i Këshillit të Evropës.

Ukraina aplikoi disa ditë pas fillimit të agresionit rus në shkurt dhe që atëherë procesi ka ecur me një shpejtësi rekord.