Për t’iu përgjigjur kufizimeve të fundit të udhëtimit të paraqitura për shkak të KOVID-19 nga vendet e BE/Shengenit, TAV Maqedoni, së bashku me laboratorin gjenetik në Klinikën “Zhan Mitrev”, krijuan një zgjidhje për kryerjen e testeve të shpejta të antigjenit pak para se të nisen pasagjerët.

Siç informojnë nga TAV Maqedoni, duke filluar prej 24 janarit, një automjet i ambulancës është vendosur përpara ndërtesës së terminalit të Aeroportit të Shkupit, afër hyrjes së vetme të hapur të pasagjerëve “Departures C”, ku udhëtarët mund të kryejnë testin e shpejtë angigjen dhe të marrin rezultat për 15 deri 20 minuta.

Automjeti mjekësor për testim i Laboratorit për gjenetikë dhe mjekësi të personalizuar do të jetë i pranishëm në Aeroportin e Shkupit çdo ditë kur ka fluturime për në vendet që kërkojnë test të shpejtë të antigjenit, katër orë para kohës së ngritjes, për secilin nga destinacionet.

“Qëllimi është të sigurohet një mundësi për pasagjerët që udhëtojnë në destinacione si Hollandë, Gjermani dhe në Mbretërinë e Bashkuar, në mënyrë që ata të kenë kohë të mjaftueshme për të kryer një test të shpejtë antigjeni para se të hyjnë në ndërtesën e aeroportit dhe të fillojnë procedurat e aeroportit, nëse testin nuk e kanë bërë para arritjes së tyre në aeroport”, theksojnë nga TAV Maqedoni.