Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Komisarin e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi.

Pas pritjes në Zyrën e Presidentes, ata kanë mbajtur konferencë për media mbi çështjet që kanë diskutuar në takim. Presidentja Osmani tha se BE-ja për Kosovën nuk është një aspiratë afatgjate, por është një vendosmëri shumëdekadëshe e udhëhequr nga vlerat demokratike.

Ajo tha se ndonëse ka ende shumë punë për të bërë, përkushtimi kosovar për t’i ndërmarrë të gjitha hapat që Kosova të integrohet në BE është i palëkundur.

“Republika e Kosovës përgjatë muajve të fundit ka ndërmarrë hapa vendimtarë për ta sjellë Kosovën më afër Bashkimit Evropian, siç e përmenda më parë, kjo është udhëhequr nga vullneti i popullit tonë dhe përcaktimi ynë për të ardhmen dhe vlerat të cilat na bashkojnë. Andaj, mbes me shpresë që ky angazhim të jetë po aq proaktiv edhe nga ana e partnerëve tanë evropianë dhe politika e zgjerimit të shihet edhe si mundësia e vetme për një Evropë të tërë të lirë e në paqe”, theksoi Osmani.

Presidentja Osmani tha se Kosova po e forcon çdo ditë sundimin e rendit e ligjit duke u koordinuar me BE-në derisa po vazhdon të qëndrojë përkrah aleatëve për ta mbrojtur demokracinë dhe vlerat e përbashkëta.

Komisari i BE-së për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë Oliver Varhelyi tha se BE-ja është zotuar që të jetë e pranishme në Kosovë në çdo mënyrë të mundshme, përfshirë edhe me asistencë financiare.

Ai potencoi se në Kosovë vitet e fundit është bërë progres në çështje të dialogut Kosovë-Serbi dhe tani palët duhet të implementojnë marrëveshjet e arritura dhe duhet të shfrytëzohet momentum për të ecur para me zbatimin e marrëveshjes.

“Mjafton të përmendim konkluzën edhe të Këshillit të Evropës të shkurtit të këtij viti ku thuhet se Këshilli Evropian u kërkon të dyja palëve të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte detyrimet që u zotuan në kuadër të dialogut duke përfshirë marrëveshjet e viteve 2013-2015 të krijohet një bashkësi e komunave me shumicë serbe”, theksoi Varhelyi.

Varhelyi tha se Prishtina zyrtare ka treguar angazhim dhe mbështetje në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa shtoi se reformat në vend “duhet të jenë të vazhdueshme dhe të zbatueshme”.

Pas takimit me presidenten Osmani, Varhelyi është pritur edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa do të takohet po ashtu edhe me krerë të partive opozitare si dhe do ta vizitojë veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.