Në Sarajevë, kryeqyteti i Bosnjës e Hercegovinës, sot u hap zyrtarisht forumi i 8-të i Strategjisë së BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR) dhe takimi vjetor i Këshillit të Iniciativës Adriatiko-Joniane (JJI) në nivel të ministrave të jashtëm.

Në hapjen zyrtare morën pjesë një sërë zyrtarësh dhe mysafirë të tjerë, duke përfshirë ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës Elmedin Konakoviq dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Gërliq-Radman.

Në fjalën e tij, Konakoviq theksoi veçanërisht rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.

“Vetëm me përpjekje të përbashkëta mund të jemi më të suksesshëm në largimin e të gjitha efekteve negative. Ne kemi besim se këto hapa bëjnë një ndryshim të madh dhe pikërisht këtu sot presim një shkëmbim idesh dhe mendimesh të delegacioneve. Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian duhet të jetë po aq i rëndësishëm për BE-në sa edhe për ne”, tha Konakoviq.

Komisari për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian (BE), Oliver Varheji, theksoi se është e rëndësishme që Bosnja e Hercegovina të vazhdojë me zbatimin e reformave evropiane pas marrjes së statusit kandidat për anëtarësim në BE.

“Dhënia e statusit të kandidatit për Bosnjë-Hercegovinën është një mesazh i qartë për njerëzit se vendi i tyre është pjesë e Evropës. Pas vendosjes së autoriteteve, tashmë janë plotësuar kushtet e nevojshme që autoritetet të angazhohen për zbatimin e reformave evropiane. Strategjia e Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian në këtë kuptim është e rëndësishme për nxitjen e bashkëpunimit konkret në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm”, deklaroi Varheyi.

Kjo strategji sipas Varheyit ofron mundësi të mëdha dhe do të kontribuojë në ekonominë e rajonit.

Forumi i Strategjisë së BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR) do të jetë nga data 23 deri më 25 maj.