Pasi i dha numrin 10 të Lionel Messit, Barcelona është gati të blindojë me një kontratë afatgjatë sulmuesin e talentuar spanjoll Ansu Fati, teksa ka qenë trajneri Koeman ai që ka hedhur më shumë dritë mbi negociatat.

Tekniku holandez deklaroi se tashmë mes palëve është arritur marrëveshja për një kontratë të re dhe se zyrtarizimi do të vijë në ditët e ardhshme, ndoshta para El Classicos ndaj Realit të Madridit, e planifikuar për të dielën në orën 16:45.

“Mund t’u them se Barcelona është shumë pranë rinovimit të kontratës së Ansu Fati dhe ky është një lajm mjaft i mirë, pasi bëhet fjalë për një djalosh që mund të shënjojë të ardhmen e klubit”, deklaroi Koeman.

Ndërkohë mediat spanjolle raportojnë se marrëveshja me menaxherin Jorge Mendes është arritur tashmë dhe Ansu Fati do të përfitojë një pagë prej lojtari të madh, teksa tani pritet të sistemohen disa detaje të vogla, para se të vijë edhe zyrtarizimi.