Ministri për Punë të Brendshme Oliver Spasovski, ka njoftuar se MPB periudhën e fundit e ka realizuar pjesën e parë të projektit “Regjistrim elektronik të hetimeve në aksidente trafiku”.

Në një postim në Facebook, Spasovski thotë se me këtë projekt do të vendoset evidencë elektronike e këqyrjeve të aksidenteve të trafikut, dhe do të mundësohet ruajtje dhe përpunim i të dhënave nga regjistri për kryerjen e hetimeve në vendin e ngjarjes në raste të aksidenteve të trafikut, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Gjatë përgatitjes së vendimit softverik për Regjistrin e unifikuar për hetimet e aksidenteve të trafikut, jemi qasur edhe në zbatimin e protokollit CADAS, me çka janë inkuadruar Regjistri për hetime të aksidenteve të trafikut, pyetësori CH1 dhe të dhënat për variablat e rëndësishme nga protokolli CADAS, kurse ekipet profesionale tashmë punojnë në përgatitjet për fazën e dytë të projektit ‘Regjistrim elektronik të hetimeve në aksidente trafiku’”, tha Spasovski.

Ai gjithashtu shtoi se, në të ardhmen MPB planifikon ta përditësojë softverin e tanishëm, duke përfshirë të ashtuquajturën GEO – koordinata dhe mundësi për këmbim elektronik të të dhënave me institucionet tjera.