Presidenti Stevo Pendarovski, sot në Shkup do të jetë mikpritës i takimit të liderëve të vendeve pjesëmarrëse të Procesit Bërdo-Brioni.

Në këtë takim do të marrin pjesë Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Millanoviq dhe Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirs Musar, në rolin e bashkorganizatorëve, si dhe Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, si dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës: Zhelko Komshiq, Denis Beqirov dhe Zhelka Cvijanoviq.

Në fokusin e takimit të sivjetshëm të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni në Shkup janë integrimet evropiane, ndryshimet klimatike dhe shpërngulja e të rinjve.

Procesi Bërdo-Brioni për herë të parë u mbajt në vitin 2013 me iniciativë të përbashkët të presidentëve të Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kroacisë, në Bërdo afër Kranjit.

Qëllimi kryesor i këtij procesi është integrimi i tërësishëm i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, stabilizimi i gjendjes në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet përforcimit të bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura.

Liderët e vendeve të Procesit Bërdo-Brioni takohen minimum njëherë në vit.

Në takimin e liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni, i cili do të mbahet në hotel “Hilton” në Shkup, janë akredituar 125 përfaqësues të mediave, 72 nga shteti ynë dhe 53 nga jashtë shtetit.