Me propozimin e raportuesit Thomas Weitz, Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) sot shtyu votimin për miratimin e Raportit të Vendit për më 24 qershor.

Teksti përmend rëndësinë e ruajtjes së momentit dhe besueshmërisë së procesit të integrimit evropian dhe thekson se vendi ynë vazhdon të demonstrojë angazhim ndaj integrimit evropian dhe përafrimin me politikat e BE-së.

Dokumenti thotë se institucionet demokratike në vend po funksionojnë “kënaqshëm”, por se polarizimi politik mbetet një pengesë për reformat e nevojshme. Ai bën thirrje për shtimin e përpjekjeve për të promovuar sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, reformën e administratës publike dhe promovimin e transparencës në lidhje me pronësinë e medias.

Një total prej 313 amendamentesh u paraqitën në tekstin bazë të propozuar të Raportit, i cili u publikua më 18 mars, shumica e të cilave shpjegojnë ose plotësojnë më tej pjesë të caktuara të tekstit, por ka edhe nga ato që prezantojnë përmbajtje ose vlerësime të reja.

Amendamentet që theksojnë gjuhën dhe identitetin maqedonas kanë tërhequr vëmendje të veçantë.

Weitz dhe kryetari i AFET-it, eurodeputeti gjerman David McAllister, propozojnë amendamente për të futur një Pikë të re D-a me përmbajtje identike: “Duke marrë parasysh se BE-ja ka demonstruar vazhdimisht njohjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas”.

Eurodeputeti holandez Tijs Reuthen gjithashtu propozon shtimin e një paragrafi 19a në Raport, i cili do të lexonte “Duke marrë parasysh njohjen konsistente të gjuhës dhe identitetit maqedonas nga BE-ja”.

Reuthen propozon një amendament tjetër, në Nenin 2, për të shtuar tekstin “me respekt të plotë për gjuhën dhe identitetin maqedonas”, ndërsa Weitz propozon shtimin e të njëjtit nen me fjalët “dhe respekt të plotë për gjuhën dhe identitetin maqedonas”.

Eurodeputetët Dan Barna, Urmas Paet dhe Petras Aushtrevicius propozojnë së bashku një amendament në Nenin 2 që do të kërkonte futjen e tekstit “dhe në këtë mënyrë njohjen e plotë të identitetit dhe gjuhës maqedonase”.

Eurodeputetët kroatë Karlo Resler dhe Davor Ivo Stier propozojnë një nen të ri 2b që do të thotë: “Riafirmon rëndësinë e njohjes dhe respektit të qartë për gjuhën dhe identitetin maqedonas si pjesë integrale e trashëgimisë së vendit, rendit kushtetues, por edhe të vlerave evropiane; vëren se institucionet evropiane, në raportet e tyre për vendin dhe dokumentet zyrtare, vazhdimisht i janë referuar gjuhës maqedonase në përputhje me njohjen dhe zbatimin ndërkombëtar të Marrëveshjes së Prespës; konfirmon se respekti për identitetin gjuhësor, kulturor dhe kombëtar është një komponent themelor i procesit të anëtarësimit në BE dhe një gur themeli i shoqërive demokratike, gjë që do të konfirmohet më tej me anëtarësimin në familjen e kombeve evropiane”.