Shtetasi i Maqedonisë së Veriut, i cili është hospitalizuar pasi është infektuar me coronavirus në karantinë në portin e qytetit japonez, Jokohama, është në gjendje të mirë shëndetësore.

Epidemiologu Zharko Karaxhovski, tha se pas trajtimit trejavor ai do të lëshohet nga spitali, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Njëzet e pesë përqind e njerëzve që janë infektuar nga virusi në karantinë janë lëshuar në shtëpi. Franca, Gjermania dhe SHBA-ja i kanë transferuar udhëtarët e tyre. Dy shtetasit tanë të tjerë që janë në karantinë nuk janë të infektuar, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe vazhdojnë me punën e tyre me masa për mbrojte parandaluese. Ata po punojnë në pjesën për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit”, tha Karaxhovski.