Nga 11 nëntori në Shqipëri rikthehet “ora policore” dhe kufizimi i lëvizjes për qytetarët si masë parandaluese për të luftuar përhapjen e COVID-19.

Duke filluar nga ora 22:00 e mbrëmjes së sotme e deri në 06:00 të mëngjesit do të ndalohet qarkullimi i njerëzve dhe të gjitha lokalet dhe bizneset do të mbyllen në të njëjtën orë. Po ashtu, edhe automjeteve do ju ndalohet qarkullimi pas kësaj ore, përpos rasteve të punës apo emergjencave shëndetësore.

Ata që thyejnë këtë masë do të gjobiten me 10 mijë lekë (80 euro).

Këto kufizime në Shqipëri janë vendosur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve me qëllimi ndalimin e përhapjes së infektimeve me COVID-19. Deri tani, si masë parandaluese e përhapjes së sëmundjes ishte mbajtja obligative e maskës në të gjitha ambientet, të hapura dhe të mbyllura, dhe gjoba për shkelësit e masës ishte 40 euro.

Gjithashtu, në kuadër të masave kufizuese, të gjithë punëtorët e administratës publike do të punojnë nga shtëpia.

Si shumë vende në kontinentin evropian, Shqipëria këto javë ka shënuar rritje rekorde të rasteve të infekrimit më COVID-19. Vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për rikthimin e masave për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19, pason rritjen e rasteve me të infektuar.

Ulja e temperaturave dhe virozat e stinës kanë shtuar dhe fluksin e të sëmurëve në qendrat shëndetësore. Problem në Shqipëri vazhdon të jetë edhe vaksinimi masiv i popullsisë kundër gripit të sezonës. Aktualisht, në qendrat shëndetësore po vaksinohen vetëm grupmoshat e rrezikuara.

Vetëm në 24 orët e fundit në Shqipëri kanë humbur jetën 8 persona si pasojë e COVID-19, dhe kanë rezultuar pozitivë 563 persona.

Nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, deri më tani në Shqipëri është raportuar për rreth 25 mijë raste.

Prej tyre, 579 pacientë kanë vdekur.