Kuvendi pasdite njëzëri me 108 vota “për”, asnjë “kundër” dhe asnjë të “përmbajtur” e ka miratuar vendimin për shpërndarjen e Kuvendit në prag të zgjedhjeve të paralajmëruara të parakohshme parlamentare të caktuara më 12 prill.

Vendimi për shpërndarjen është dorëzuar nga kryeparlamentari Talat Xhaferi i cili në fjalimin e tij tha se pas konsultimeve të zhvilluara më 10 shkurt me KSHZ-në, dita e sotme është e fundit për shpërndarjen e Parlamentit.

“Përgjigja e KSHZ-së ka qenë se ata mund të sigurojnë rrjedhë adekuate të procesit në afat prej 55 ditësh të momentit të shpërndarjes së Kuvendit për faktin se zgjedhjet e parakohshme ndërlidhen me aktin e shpërndarjes së Kuvendit, jo me vendime politike. Dhe për këtë arsye, duke analizuar dhe përllogaritur gjitha afatet, momenti i fundit i shpërndarjes së Kuvendit duhet të jetë sot me qëllim të sigurohen gjitha afatet dhe procedurat me kohë”, ka shpjeguar Xhaferi.

Ai ka shtuar së të gjitha vendimet që janë sjell në Parlament janë miratuar në interes të qytetarëve dhe shtetit.

Koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski ka thënë se gjatë tre viteve përbërja e tanishme parlamentare ka duruar shumë kriza, por kjo nuk e ka penguar të miratohen vendimet e rëndësishme historike me të cilin definohet e ardhmja e shtetit.

“Më 12 prill na presin zgjedhjet e parakohshme. Qytetarët do të kenë mundësinë të vendosin se kujt do t’ia japin mbështetjen. Do të përballen me dy politika diametralisht të kundërta- njëra LSDM, angazhimi kryesor i së cilës është qytetari dhe zgjedhja tjetër për të cilën nuk do të komentojë”, ka thënë Mitrevski.

Koordinatori i VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski, madje ka thënë se në tre vitet e kaluara kjo përbërje parlamentare ka kaluar nëpër krizë të rëndë politike dhe akuzoi për punë joprofesionale dhe krim e korrupsion në radhët e LSDM-së.

“Zgjedhje patjetër dhe do të ketë më 12 prill. Sot do t’i japim fund robërisë në të cilën gjendet shteti”, ka thënë Micevski nga VMRO-DPMNE.