Rritja e pagave në sektorin publik në periudhën e ardhshme do të varet nga metodologjia e re për rritjen e pagave, rezultateve në vendin e punës, marrëveshjeve kolektive që pritet të nënshkruhen deri në fund të këtij viti, si dhe nga rritja e harxhimeve të jetesës dhe rritja e pagës mesatare. Ekzekutivi ka paralajmëruar se gjatë rritjes së ardhshme të pagave në sektorin publik, do të merret parasysh edhe rritja e produktivitetit së bashku me rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofron administrata për sektorin privat, që edhe i siguron mjetet financiare për pagat e tyre.

Nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, kanë paralajmëruar se metodologjia e re e pagave në sektorin publik do të jetë gati deri në vitin e ri, ndërsa do të zbatohet që nga janari i vitit 2023. Përkundër kërkesave të Sindikatës së Administratës për rritjen e pagave për së paku 7000 denarë si rrjedhojë e inflacionit të lartë dhe shtrenjtimit të madh të jetesës dhe për rritjen lineare që e kërkonte Lidhja e Sindikatave që katër muaj më parë prej afër 3000 denarë , pritet që të ketë rritje të pagave, por jo në bazë të kërkesave të sindikatave.

Numri një I Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, Jovanka Trençevska thotë se punëtorët do të fitojnë rritje lineare të pagave , por jo edhe shumën prej 2806 denarë siç kërkonte LSM. Është hedhur poshtë edhe kërkesa e sindikatave që pagat mesatare të harmonizohen me rritjen e pagës mesatare me arsyetimin se Neni 8 i Ligjit për pagën minimale nuk vlen dhe është jashtë fuqisë, sepse i referohet vitit 2012 kur është miratuar, me dispozita kalimtare dhe përfundimtare.

“Marrëveshja e re kolektive do të sjellë më shumë të drejta për punëtorët, ndërsa metodologjia e re do të sigurojë rritje të vazhdueshme të pagave të punonjësve në sektorin publik. Njëherësh parashikohet edhe zgjidhje sistemore që nuk do të varet nga ndonjë vullnet politik”, shton ajo. Në ndërkohë, sindikatat e Maqedonisë në periudhën e kaluar argumentojnë se jeta e punëtorit dhe qytetarit në Maqedoni, po bëhet se vjen e më e shtrenjtë dhe se gjithnjë e më shumë punëtorë po punojnë, por janë të varfër dhe nuk mund të përballojnë as ushqimet bazë për të ushqyer familjen. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se po mungojnë masa të reja të mbështetjes për punëtorët , ndërsa inflacioni prej 16.8 për qind në mënyrë shtesë po varfëron popullatën. Nga atje shtojnë se edhe paga minimale prej 18. 324 denarë sërish është e mjaftueshme vetëm për bukë dhe ujë.

Nga LSM vlerësojnë se edhe me 48.234 denarë mezi mbijeton një familje mesatare. Të dhënat e fundit nga shporta minimale e sindikatave tregojnë se në muajin gusht një familje me katër anëtarë që jetonte në një shtëpi prej 50 metrash katrorë dhe nuk kishte veturë , kishte nevojë për 41.295 denarë vetëm për të siguruar produktet bazë për jetesë , ndërsa kur kjo shumë rritet për 16,8 për qind inflacion ose 6.937 denarë, kjo në fund është 48.234 denarë. Në përllogaritje nuk është përfshirë kostoja për një nxënës për blerjen e materialeve të nevojshme për fillimin e vitit shkollor, të cilat, sipas përllogaritjeve të LSM-së, arrijnë në 6000 denarë shtesë.