Xhemal Idrizov thotë se nuk mund të dalë mbrëmjeve jashtë shtëpisë së tij, për shkak të tymit dhe erës së rëndë nga djegia e mbeturinave në shumë lokacione të Komunës së Karposhit – ku jeton ai – që është pjesë e Shkupit, kryeqytetit të Maqedonisë.

“Që të gjithë ne duhet mobilizuar… duhet të rritet vetëdija sepse ne jemi ata që ndotim ambientin, për të shmangur grumbullin e madh të mbeturinave nëpër deponitë e egra, u vihet zjarri mbeturinave dhe kemi tym gjithandej”.

Mes tjerash, ai tregon se familja e tij nuk mund t’i thajë rrobat në ambient të jashtëm “sepse jo vetëm që marrin erë të keqe, por ato mbulohen me mbetje nga djegia që i bart era”.

“Nuk e di nga të filloj, unë nuk jam ekspert i kësaj çështjeje, por shihni, në çdo kodrinë ka të hedhura mbetje inerte, nëse dikush pastron, ose rindërton diçka rreth ambienteve të banimit, mbetjet barten me kamionë, dhe për të mos paguar deponi, ato hidhen në breg të lumit Vardar ose rrëzë kodrinave përreth. Unë zgjohem herët dhe shoh se si hidhen mbeturinat në agim”, tregon Trajce Nikollovski, alpinist, duke përshkruar rajonet përreth Shkupit.

Në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Mbeturinave, përgjegjëse për grumbullimin e mbeturinave komunale nga kontejnerët, është kompania publike “Higjiena Komunale”, e cila obligohet që mbeturinat nga amvisëritë dhe kompanitë t’i depozitojë në deponinë Drisla.

Edhe komunat kanë përgjegjësi që të mos ketë mbeturina nëpër hapësirat e territorit të tyre.

Atyre u kërkohet që të punësojnë kompani private për largimin e të gjitha llojeve të mbeturinave në deponinë Drisla.

Megjithatë, në gati të gjitha komunat e zonës së Shkupit, sikurse ato të Karposhit, Shuto Orizarës, Sarajit, dhe në disa zona të Qendrës, shihen deponi të egra”.

Disa zyrtarë të Shkupit i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ekzistojnë edhe disa kompani që hedhin mbeturina të rrezikshme nëpër deponi ilegale.

Autoritetet komunale të Shkupit kanë treguar se në disa raste “inspektorët e qytetit në lagjen Vizbeg gjetën kamionë dhe makineri të rënda në një deponi të egër duke hedhur mbeturina toksike dhe mbetje të materialit ndërtimor”.

Sipas tyre, pavarësisht se përpjekjeve për pastrim të deponive të egra, qytetarët po i krijojnë të tjerat shumë shpejt.

Bllazhe Josifovskit, nga organizata joqeveritare, Go Green, që e ka në fokus ambientin jetësor, i ka thënë Radios Evropa e lirë se çështja e deponive ilegale mund të zgjidhet duke miratuar një ligj që parasheh angazhimin e policisë komunale.

Ai përmend se një premtim i tillë qeveritar daton qysh prej vitit 2021, por që nuk është realizuar ende.

“Ligji i policisë komunale mund të jetë zgjidhje, por me kusht që ai ligj të zbatohet siç duhet. Sepse, disa vende të rajonit kanë pasur përvoja të këqija me një ligj të tillë. Në vendin tonë, disa kryetarë komunash në mbledhjet e Bashkësive të Vetëqeverisjes Lokale, kërkuan që të miratohet ky ligj, por nuk u miratua. Policia dhe inspektoratet, në situatën aktuale, nuk kanë kapacitete të merren me të gjitha problemet, dhe në realitet vetëdija është në nivel të ulët”, vlerëson Josifovski.

Në bazë të Ligjit për menaxhimin e mbeturinave, është paraparë ndërtimi i tetë deponive rajonale për të zgjidhur problemin e mbeturinave në deponitë komunale – të cilat nuk i plotësojnë standardet e mbrojtjes së mjedisit.

Megjithatë, ato nuk janë krijuar kurrë, pasi komunat kanë refuzuar diçka të tillë.

Me ndryshimet e fundit të Kodit Penal të Maqedonisë, ndotja afatgjate dhe e përhapur e mjedisit paraqet krim – ekocid. Kurse, për autorët e këtij krimi mjedisor parashihet burgim që fillon nga dhjetë vjet e deri në burgim të përjetshëm./REL