Regjistrimi i popullsisë u njoftua të ishte ndër prioritetet edhe të kësaj Qeverie por deri tani nuk ka nismë zyrtare në Kuvend për miratimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë në prill të vitit 2021.

Propozim-ligji që nuk gjeti mbështetje në Kuvend gjatë mandatit të kaluar, pritet të dorëzohet përsëri në procedurë parlamentare.

Miratimi i tij sipas pushtetit duhet të bëhet, e shumta deri në fund të vitit por nuk potencohet saktë se kur do ta dorëzojnë në Kuvend.

Enti shtetëror i statistikës, si institucion që duhet të zbatojë regjistrimin, thotë se një pjesë e përgatitjeve janë bërë që vitin e kaluar, meqë regjistrimi fillimisht ishte planifikuar të bëhej në prill të 2020-tës.

Megjithatë zëvendësdrejtori Zirap Ademi thekson nevojën për miratim më të shpejtë të ligjit.

“Sa më shpejt, aq më mirë për ne. Neve, faktikisht, ligji “na duhej dje” të jetë veçse i kaluar në Parlament, mirëpo ende ka kohë. Sa më shpejt të jetë e mundur, aq më mirë për ne, na i lehtëson punën që të arrijmë në kohë me të gjitha përgatitjet për një proces të tillë. Për sa u përket ndryshimeve të propozim-ligjit, nuk do të ketë asnjë ndryshim përveç datës se kur do të mbahet regjistrimi i popullsisë.”-tha Zirap Ademi, zv/drejtor i Entit Shtetëror të Statistikës

Regjistrimi parashihet të bëhet sipas parimit “vendbanim i përhershëm”. Pjesë e tij do të jenë të gjithë personat që jetojnë në shtet dhe të huajt që janë këtu për më gjatë se një vit. Shtetasit që jetojnë jashtë vendit do të mund të regjistrohen nëpërmjet formës elektronike.

“Propozimi tani është që të mbetet edhe kategoria etnike, edhe religjioni, edhe gjuha amtare.”-pohoi Zirap Ademi, zv/drejtor i Entit Shtetëror të Statistikës.

Procesi do të monitorohet nga përfaqësues të EUROSTAT-it. Për regjistrimin në terren parashihet të angazhohen mbi 2600 persona kurse regjistrimin do ta bëjnë direkt në formularë elektronik, i qasshëm në të 7 gjuhët e komuniteteve në vend. Tenderi për sigurimin e pajisjeve teknike ka përfunduar kurse për vitin 2021, qeveria duhet të parashikojë buxhet për kompensimin e regjistruesve në terren dhe komisionerëve në komisionet rajonale të regjistrimit. I gjithë procesi pritet të kushtojë 8.5 milion euro.

VMRO-DPMNE-ja beson se pushteti nuk ka kapacitet të organizojë proces efikas të regjistrimit.

“Regjistrimi është operacion statistikor dhe jo çështje politike. Ne nga kjo Qeveri nuk presim diçka tjetër përveç një operacioni politik të cilin Qeveria do të shfrytëzojë si shënjestër, gjë që është gabim. Ne nuk pajtohemi me këtë sepse kjo Qeveri nuk ka kapacitet që ta zbatojë regjistrimin si operacion statistikor”-tha Eli Panova, VMRO-DPMNE .

Në mandatin e kaluar, grupet parlamentare nuk arritën marrëveshje për miratimin e ligjit për regjistrim. Regjistrimi i fundit në vend është bërë në vitin 2002 kurse procesi i filluar i vitit 2011 dështoi pasi u ndërpre në gjysmë për shkak të ndërhyrjeve politike. Statistikat e kësaj natyre janë kusht për hapjen e disa kapitujve në negociata me BE-në./Alsat-M/