Qeveria e Maqedonisë së Veriut ju është përgjigjur nënave të fëmijëve deri gjashtë vjeç, të cilat me vendimin e fundit të pushtetit ekzekutiv duhet të kthehen në punë nga data 23 shtator.

Nga Qeveria thonë se me hapjen e çerdheve nga data 9 shtator, hapi i vetëm logjik është që prindërit të kthehen në vendet e tyre të punës.

“Vendimi që prindërit e fëmijëve nga mosha 0 deri 6 vjeç të kthehen në punë, u miratua sipas analizës paraprake dhe konsultimit me Komisionin për Sëmundje Infektive. Me hapjen e institucioneve për kujdes dhe edukim të fëmijëve më 9 shtator 2020 dhe analiza e cila tregoi që kopshtet kanë kapacitet për kujdes të fëmijëve në përputhje me Protokollin për aktivitete në institucionet për kujdes dhe edukim të fëmijëve, i cili deri në minimum e ul rrezikun nga përhapja e virusit COVID-19, masa prindërit e fëmijëve prej moshës 0 deri në 6 vjet të jenë jashtë nga procesi i punës, e humb kuptimin. Kjo masë periudhën e kaluar ishte në fuqi sepse institucionet publike për kujdes të fëmijëve, gjegjësisht kopshtet nuk punonin”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Më tej shtohet se në mënyrë plotësuese, në koordinim me Komisionin për Sëmundje Infektive, u miratua vendimi për zgjerimin e kapaciteteve të grupeve në kopshte, nga mosha 0 deri 2 vjet, nga 12 fëmijë në grup, vendim me të cilin sipas Qeverisë, institucionet publike për kujdes të fëmijëve kanë kapacitet të plotë për përkujdesjen e fëmijëve të nënave të cilat deri më tani shfrytëzonin mungesë të vazhduar të pushimit të lindjes.

“Në përputhje me Protokollin, prioritet për përkujdesje në kopshte kanë fëmijët e prindërve kryefamiljarë dhe fëmijët e dy prindërve të punësuar, me të cilin ndërpritet çfarëdo lloj mundësie fëmijët të mbeten pa përkujdesje të duhur. Aty ku do të ketë nevojë për hapësirë dhe kuadër plotësues për përkujdesjen e fëmijëve, Qeveria u rekomandon komunave si themelues të kopshteve, në përputhje me Rregulloren për standarde dhe normativa për kryerjen e veprimtarisë në institucionet për fëmijë, të sigurojnë vendim adekuat. Për këto shkaqe nevoja e prindërve që mos të shkojnë në punë është e pabazë”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Ndryshe, nënat e fëmijëve prej 0 deri 6 vjet, për sot paralajmëruan protestë, për të shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të Qeverisë, që nga data 23 ata të kthehen në punë.