Vitet e fundit, ballokumet, simboli i Ditës së Verës, janë gatuar e tregtuar gjithandej nëpër Shqipëri por shija e tyre e vërtetë mund të dallohet vetëm në qytetin që i krijoi, Elbasan. Sot, rënia e cilësisë së produkteve ka bërë që edhe ballokumet mos të jenë ato të dikurshmet megjithatë, ne po i përmbahemi recetës klasike. Këshillojmë të përdoren përbërës të freskët fshati.

Përbërësit:
1 kg miell misri
500 g gjalpë i freskët
8 kokrra vezë
Pak finjë zjarri
500 gr sheqer

Përgatitja: Të gjithë bërbërësit përzgjidhen në kushte natyrale. Gjalpi i freskët tretet dhe vendoset në enën e ballokumes. Mbi gjalpë hidhet pak e nga pak sheqer dhe të dyja rrihen gjatë nga një lugë druri. Me pas hidhen vezët një e nga një ndërkohë që rrahja me lugë vazhdon. Pastaj e ka radhën hedhja e miellit të misrit. Mielli i misrit hidhet me ngadalë dhe përzihet vazhdimisht me lugën e drunjtë. Në masën e formuar hidhet pak finjë zjarri. Rrahja duhet të bëhet me dore. Brumi i formuar nga kjo përzierje merret më lugë druri dhe vendoset ne topa ne tepsi dhe futet në furrë. Piqet dhe shërbehet në formën e kulaçeve